Sport Ndërkombëtar

Roma barazon, Arsenali vazhdon serinë pozitive

Roma nuk ka arritur më shumë se barazimi në udhëtim te Real Betisi me të cilin ka luajtur 1-1 në “Estadio Benito Villamarin”, në ndeshjen e vlefshme për raundin katërt të fazës grupore në Ligën e Evropës.

Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Sergio Canales (34’), i cili pranoi një top nga Rodri, për të shënuar me devijim në portën e Rui Patricios.

Ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë të lojës, derisa në gjysmën e dytë, mysafirët ia dolën t’i barazonin shifrat.

Mady Camara ia pasoi topin në zonë Andrea Belottit, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (53’).

Pas këtij barazimi, Roma është ngritur në kuotën e katër pikëve, aq sa ka edhe Ludogorets Razgrad në vend të dytë, ndërsa Real Betisi ka dhjetë pikë në krye dhe është thuajse në fazën tjetër të Ligës së Evropës.

Ndërsa, gjiganti tjetër i futbollit evropian, Arsenali, është kthyer me tri pikë nga udhëtimi te Bodo/Glimt, ndaj së cilës fitoi me rezultat 1:0.

Golin e vetëm në ndeshje e shënoi Saka në minutën e 24-t.

/Shqip.com