Lajme

Rohde: Me një rezultat ideal në dialog, mosnjohësit do ta njohin Kosovën

Jorn Rohde - Ambasador i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se është “i sigurt” se Kosovën do ta njohin shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nëse ka rezultate në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Ai i ka inkurajuar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që ta shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër, për të arritur marrëveshje për zbatimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Të 27 vendet e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë. Javën e kaluar, ju e dini se kryeministrja e Italisë, presidenti i Francës dhe kancelari gjerman kanë publikuar një letër për dy liderët kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, në të cilën kanë nënvizuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.Jam i lumtur që më 27 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti janë pajtuar në parim për këtë propozim evropian, i cili është iniciuar nga Franca dhe Gjermania”, thotë Rohde.

Ai thotë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin gati 10-vjeçar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E kemi bërë të qartë se çfarë presim nga Kosova, ashtu sikurse edhe i dërguari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili punon shumë, e ka mbështetjen tonë të plotë dhe e ka bërë të qartë dje 14 mars se pa [themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk ka marrëveshje.Në anën tjetër, Serbia gjithashtu duhet të pajtohet se Kosova është një fqinj dhe ka një të ardhme evropiane. Dhe Kosova ka shumë për të fituar”, raporton REL.

Rohde thotë se me një rezultat ideal në dialog, mosnjohësit do ta njohin Kosovën.

“Ne nuk mund të flasim për ato, por mendoj se nëse ka një dinamikë që dy shtetet pajtohen për këtë, unë nuk besoj se palët e treta do ta ndotnin këtë. Është diskutuar edhe më herët se ka disa vende që nuk e njohin (Kosovën) brenda Bashkimit Evropian.Kam shumë shpresë dhe në vazhdimësi jemi në kontakt me ta. Kam shumë shpresë që një rezultat pozitiv më 18 mars do të zhbllokojë edhe mosnjohjet”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën do të zhvillojnë takim, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku me shumë gjasë pritet që të nënshkruhet nga të dy palët, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se fillimisht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me dy liderët, nga ora 10:00, ndërkohë që më pas do të pasojë takimi kokë më kokë mes dy liderëve.

/Shqip.com