Lajme

Rohde: Janë të gabuara raportimet për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova 

Raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde i ka quajtur krejtësisht të gabuara.

Ambasadori Rohde ka shkruar në Twitter se “Mosrespektimi i standardeve gazetareske: As Shoqata Gjermano-Kosovare e Biznesit dhe as Ambasada Gjermane nuk janë pyetur nëse kjo është e vërtetë. Ajo që është e vërtetë është se: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale, siç thuhet këtu”.

Ambasadori Rohde ka ripërsëritur deklaratën e tij dhe të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare për deeskalim të menjëhershëm të situatës në veri

Këtë thirrje ditë më parë ambasadori Rohde e kishte ndërlidhur në aspektin ekonomik, pasi që sipas tij, dëmet janë shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përball komunitetit të biznesit.

Ai ka përsëritë thirrjen e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare të bizneseve për deeskalim të menjëhershëm të situatës në Kosovë.

Deklaratë e OEGJK për ndikimin e zhvillimeve politike në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare:

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK) po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.

/Shqip.com