Lajme

Rohde i cilëson legjitime dy vendimet e Qeverisë për zbatim të reciprocitetit me Serbinë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet  hyrëse/dalëse janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

Përmes një postimi në Twitter, Rohde ka treguar se është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin si dhe kanë folur për zhvillimet aktuale përfshirë edhe vendimin për shtyrjen e vendimeve të Qeverisë për 1 shtator.

“Kënaqësi për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani sot, për të diskutuar zhvillimet aktuale, përfshirë vendimin për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet hyrëse – dalëse për datën 1 shtator, në koordinim me SHBA-në dhe BE-në. Theksova se vendimet janë legjitime – plotësisht në përputhje me marrëveshjet në Bruksel”, shkroi Rohde.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte marrur vendim që të gjitha targat me akronime të komunave me shumicë serbe në Kosovë të kthehen në targa RKS, si dhe nga 1 gushti të gjithë personat të cilët posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, të pajisen me dokumente hyrëse/dalëse.

Këto dy vendime nuk janë pritur mirë nga serbët lokal të Kosovës, dhe në shenjë pakënaqësie kanë barrikaduar rrugët të cilat të dërgonin në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërsa, me kërkesën e partnereve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimet deri me datën 1 shtator me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.

Barrikadat kanë filluar të largohen në ditën e dytë të tensioneve në veri si dhe tani nuk ka mbetur asnjë prej tyre.

Nga këto tensione atje, janë lënduar 11 qytetarë të Kosovës si dhe janë dëmtuar vetura të qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës nga serbët./Shqip.com