Ekonomi Biznes

Rizvanolli: Vitin tjetër Telekomit do t’i ndahen rreth 13 milionë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas vizitës në Telekomin e Kosovës, ku ka zhvilluar takim me u.d. kryeshefen, Burbuqe Hana, tha se për këtë vit kjo ndërmarrje do të ndihmohet me 1 milion euro, për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës.

Sipas saj Telekomit vitin e ardhshëm do ti ndahen 13 milionë euro.

“Për periudhën e menjëhershme jemi duke shikuar mundësi që të ndihmojmë Telekomin për të përballura investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës në vlerë prej rreth 1 milion euro.

Ndërsa sa i përket vitit tjetër po flasim për një shumë prej 13 milion euro, për së paku 13 milion euro për migrimin në kodin telefonit të Kosovës nga ai i Monakos, si dhe modernizimin e rrjetit” tha ajo.

Tutje, ajo ka deklaruar se gjatë vizitës që iu është bërë kësaj ndërmarrjeje së bashku me kryeministrin, kanë vërejtur ndryshime për të mirë.

“Telekomi nuk ka bërë asnjë investim që nga viti 2011, dhe jemi në një fazë të ndërrimit të Valës, dhe jemi duke punuar për ta shtrirë gjitha shërbimet në gjitha qytetet e Kosovës. Telekomi është duke u zgjeruar edhe në veri të vendit dhe është shpallur nga Oda Ekonomike si tatimpaguesi më i rregullt”, tha ministrja Rizvanolli.

Kryesuesi i Bordit, Shpetim Dubra, ka thaksuar se janë duke e bërë të mundshme që t’i dërgojnë përpara proceset që janë të dobishme për Telekomin.

“Patëm një takim shumë të frytshëm, kam njoftuar ministren se ne jemi duke u përpjekur së bashku me menaxhmentin që të bëjmë më të mirën të mundshme për të gjitha proceset që i konsiderojmë të domosdoshme për Telekomin”, ka thënë Dobra.

/Shqip.com