Ekonomi

Rizvanolli sqaron situatën në minierën e Trepçës: Po qarkullojnë shumë të pavërteta

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së fundi ka folur lidhur me situatën në minierën e Trepçës e përkatësisht atë të Statërgut.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se lidhje me këtë po qarkullojnë shumë të pavërteta kështu, duke dhënë një sqarim për publikun.

“Me a pa qëllim, po qarkullojnë shumë të pavërteta në lidhje situatën në Trepçë, në minierën e Statërgut. Kjo është vërteta: Më 27.01.2023 pas mesnatës ka pasur prishje të kabllos së energjisë elektrike në mes horizonteve 5 e 7 të minierës, kabllo kjo 70 vite e vjetër. Është reaguar menjëherë, qysh në 03:45 me rastin e ndodhjes së aksidentit. Menaxhmenti ka reaguar menjëherë duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera”, shkroi Rizvanolli.

Rizvanolli thotë se niveli i ujit është duke u ulur mirëpo der isa të largohet i tëri, xehet nuk mund të bartën në flotacione.

“Me këto ndërhyrje dhe punën e vazhdueshme të punonjësve aty, niveli i ujit po ulet. Mirëpo, deri sa uji të largohet plotësisht xehet nuk mund të barten për në flotaction. Ndërkohë, menaxhmenti është duke marrë masa shtesë për të vendosur kabllo alternative në tërë gjatësinë e kabllos nga horizonti 1 deri në horizontin 11, me gjatësi prej 1000m”.

Pretendimet se kjo ndodhi ka ardhur për shkak të keqmenaxhimit, Rizvanolli i quan gënjeshtra.

“Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues. Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës”.

Ministrja e Ekonomisë flet edhe për keqpërdorime të mundshme lidhur me mjetet e ndara për investime gjatë viteve në minierën e Trepçës.

“Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008. Një pjesë e madhe e tyre me gjasë thjesht u avulluan. Mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të jashtëligjshme. Tokat e Trepçës u dhanë me qira për eksploatim nga operatorët privatë. Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite”.

Trepça nuk ka problem me pronësi – publike apo private. Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhe pse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa tek disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë.

Ministrja Rizvanolli thotë se Trepça e ka kaluar kohën e saj të errët dhe tani e pret një e ardhme e ndritur.

“Por, ky kapitull është mbyllur njëherë e përgjithmonë me qeverisjen tonë. Si çdo institucion e ndërmarrje tjetër publike, jam e bindur që Trepça e ka kaluar tashmë periudhën e saj të errët dhe ajo ka një të ardhme të ndritshme. Siç kemi thënë që nga fillimi i mandatit, Qeveria ynë është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjet publike në rrugën e tyre të ligjshmërisë e ringjalljes, por që kjo përkrahje kushtëzohet nga përkushtimi i tyre për ta eliminuar krimin e korrupsionin përbrenda, e për ta rritur performancën”.

Tutje, Rizvanolli thotë se gjatë këtyre ditëve kanë parë përparim në fushëveprimin e minierës së Trepçës.

/Shqip.com