Ekonomi

Rizvanolli: Sektori i energjisë fatkeqësisht nuk i ka tërhequr investimet e duhura

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se sektori i energjisë nuk i ka tërhequr investimet e duhura, njofton Shqip.com.

Kështu është deklaruar ajo në një konferencë për integrimin e tregut të energjisë elektrike, ku tha se Kosova dhe Shqipëria mbeten të varura nga importet, për të garantuar furnizimin e rregullt me rrymë.

“Sektori i energjisë për fat të keq nuk i ka tërhequr investimet e duhura për të siguruar në mënyrë afatgjate furnizimin me rrymë për vendin tonë. Kemi iniciuar draftimin e Ligjit për Burimet e Ripërtrishme dhe shpresojmë që brenda vitit ta kemi ankandin e parë për energji”, ka thënë Rizvanolli.

“Integrimi i tregut me atë të Shqipërisë është njëri nga synimet tona në sektorin e energjisë. Shqipëria dhe Kosova mbeten të varura nga importet për të garantuar furnizimin me energji elektrike, duke qenë se kapacitetet tona gjeneruese vijnë nga burimet e ndryshme, integrimi i energjisë do të lejojë që t’i përdorim burimet. Me këtë sistemet tona do të bëhen më të afta për kërkesën për furnizim me energji elektrike”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Kosova dhe Shqipëria janë të varura shumë nga një burim i vetëm i energjisë, për çka Rizvanolli thotë se kjo domethënë që të dy palët kanë nevojë për diversifikim të burimeve, “e cila nuk mund të bëhet pa përfshirjen e sektorit privat”. /Shqip.com