Teknologji

Rizvanolli për Albanian ICT Awards: Ngjarje për të çmuar arritjet e grave e burrave në fushë të teknologjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka shprehur kënaqësi për pjesëmarrjen në Albanian ICT Awards, ngjarje e dedikuar për të çmuar e festuar arritjet e grave e burrave nga mbarë trojet shqiptare në fushë të teknologjisë e inovacionit.

Rizvanolli përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se teknologjia e inovacioni janë faktorët kyçë për zhvillimin ekonomik.

“Teknologjia e inovacioni janë faktorë kyçë për zhvillimin ekonomik e social të shoqërisë tonë. Andaj, Qeveritë tona jemi të përkushtuar e zotohemi të bëjmë gjithçka që është e mundur që të krijojmë kushtet optimale për zhvillim teknologjik e inovacion”, ka shkruar ajo.

Ministrja kosovare e Ekonomisë gjatë këtij evenimenti ka ndarë çmimin për “Diploma e Vitit” Kristi Goreas për projektin “Përdorimi i NFT-ve në regjistrimin e pronave, rast studimor për Shqipërinë”.

Rizvanolli gjithashtu ka thënë se shkathtësitë e të rinjve e të rejave tona, puna dhe kreativiteti i tyre janë motori i këtij zhvillimi, ndërsa ngjarjet e tilla konkurruese u japin atyre mundësinë për të treguar arritjet e tyre e motivimin për të vazhduar edhe më tej.

Dhjetë vite më parë Albanian ICT Awards hodhi hapat e parë duke bërë bashkë dy breza mendje të ndritura dhe heronj të kohës moderne si yje në ngritje, sipërmarrës, themelues, udhëheqës, profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë.

Lexo edhe:
Albanian ICT Awards shpall fituesit e edicionit të 10-të jubilar

Në një finale e cila kurorëzon jo vetëm rrugëtimin disa mujor të një gjenerate të rinjsh të cilët i kanë besuar Albanian ICT Awards vizionin e tyre për të ardhmen, por edhe një moment historik i një përkushtimi 10 vjeçar në shërbim shoqërisë dhe progresit përmes teknologjisë, Albanian ICT Awards shpalli më 11 Qershor në një ceremoni madhështore dhe plot emocione në Pallatin e Kongreseve fituesit e edicionit të 10-të jubilar.