Lajme

Rizvanolli: Kosova i ka dhënë Shqipërisë mbi 121 mijë MWh, sot po merr më pak se 1 mijë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar pas ndërprerjes së reduktimeve me energji elektrike në Kosovë.

Ajo përmes një statusi në Facebook ka thënë se Kosova i ka dhënë Shqipërisë mbi 121 mijë megavatë, e tani po merr më pak se 1 mijë.

“KEK deri sot i ka dhënë KESH-it  121.7 mijë MWh. Sot po marrim më pak se 1 mijë MWh për të evituar reduktimet. Këto janë rezultatet e prekshme për qytetarët kur ne bashkëpunojmë”, ka shkruar Rizvanolli.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë më 20 qershor në mbledhjen e 8-të të përbashkët në Prishtinë kanë nënshkruar gjithsej 19 marrëveshje të reja bilaterale.

Në sektorin e energjisë janë nënshkruar dy marrëveshje.

Lexo edhe:
Këto janë 19-të marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku – 20 qershor 2022

Marrëveshja e parë parasheh mundësinë e bashkëpunimit për blerje të energjisë së prodhuar nga gazi natyror në “Portin LNG”, të Vlorës.

Ndërsa marrëveshja e dytë mundëson shkëmbimin e energjisë kur Kosova dhe Shqipëria të ketë teprica.

“Duke pasur parasysh të gjitha projeksionet që kemi për vitin në vazhdim, për shkak se parashikohet që vjeshta do të jetë shumë e vështirë për Evropën, ne kemi nisur nga puna disa muaj më parë për të pasur një protokoll të mirëfilltë bashkëpunimi midis dy institucioneve që KESh-i dhe KEK-u për të pasur një mbështetje të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Duke përdorur dy instrumente të rëndësishme që është ai i depozitimit dhe ai i shkëmbimit energjetik. Ne i kemi nisur këto veprime duke para përgatitur terrenin, duke lidhur marrëveshje mes dy kompanive për të shkëmbyer këtë energji kur Kosova ka teprica dhe kur Shqipëria do të ketë teprica gjatë dimrit”, ka thënë ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Mbledhja e parë e dy Qeverive Kosovë-Shqipëri është mbajtur në vitin 2014.

Qeveritë e të dyja shteteve janë pajtuar që të mbajnë mbledhje të përbashkëta për vendosje të “një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy vendeve”./Shqip.com