Lajme

Rizvanolli: Ka paqartësi në faturimin e energjisë për muajin shkurt, qytetarët t’i denoncojnë këto gabime

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën e Kuvendit të Kosovës të martën, ka pranuar se ka paqartësi për mënyrën si janë llogaritur faturat e energjisë elektrike për muajin  shkurt.

Ndaj, ajo i ka bërë thirrje KESCO-s që të dalë me një sqarim lidhur me këtë çështje, ndërsa qytetarëve u ka kërkuar t’i denoncojnë këto në institucionet përkatëse.

Para deputetëve, Rizvanolli ka thënë se në faturat e fundit shpesh janë paraqitur shifra më të larta se ato që duhet të paguajnë qytetarët, duke i vënë ata në konfuzion.

“Ka pasur paqartësi në fatura dhe i bëj thirrje KESCO-s që shpejt të dalë me sqarim. Shpesh janë paraqitur numrat më të lartë se ato që duhet të paguajnë qytetarët, kështu ata nuk e dinë se cila është shifra finale”.

“Kam thënë që ka paqartësi dhe qytetarët nëse kanë dyshime se janë bërë gabime me apo pa qëllim duhet t’i raportojnë tek institucionet përkatëse”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Ministres i ka reaguar deputeti, i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala i cili ka kërkuar të dijë cilat janë hapat për sanim të gabimeve të faturimit të energjisë.

“Nëse ka gabime në fatura atëherë çka janë hapat që kjo qeveri do të merr në sanimin e këtij gabimi”, është shprehur ai.

Por, ministrja ka theksuar se nuk bëhet fjalë për gabime, por vetëm paqartësi./SHQIP.com