Lajme

Rizvanolli: Investimi në bateri më i duhur sesa fillimi i gazsjellësit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se investimi në bateri është më i duhuri se gazsjellësi për energjinë.

Në një intervistë në Rubikon, Rizvanolli ka folur edhe kërcënimin e presidentit rus Vladimir Putin ndaj Evropës lidhur me gazsjellësin.

“Mendoj se kriza dhe rritja e çmimeve të gazit që e kemi parë që nga vera e kaluar, por të cilat janë bërë dukshëm më keq me kalimin e kohës dhe mënyra se si presidenti Vladimir Putin është duke e limituar rrjedhën e gazit dhe duke e përdorur gazin si armë kundër Evropës më bën të jem shumë më komod dhe të diskutojmë për investimet në bateri sesa fillimin e një gazsjellësi tani”, tha Rizvanolli.

Sipas Rizvanollit, sistemi i baterive akumuluese ka më pak rreziqe për energjinë.

“Sistemi i baterive ka dëshmuar se ka shumë më pak rreziqe dhe mund të mbështesë tranzicionin në një ekonomi të gjelbër dhe këto janë parimet tona udhëzuese në strategjinë tonë energjetike. Dhe nga Kompakti, në veçanti nga investimi në bateri, do të përfitojë vendi në shumë mënyra. Stabilizimi i frekuencës është diçka të cilën ne mund ta marrim si të mirëqenë dhe të mos e vlerësojmë”.

Rizvanolli tha se bateritë akumuluese do të mundësojnë lidhjen e kapaciteteve të reja rigjeneruese solare dhe me erë që planifikohen të ndërtohen gjatë viteve të ardhshme.

“Por kur kemi probleme e vërejmë dhe dëmet që shkaktohen në pajisje, do ta zvogëlojë nevojën që të blejmë pajisje balancuese nga shtetet tjera dhe na ndihmon t’i plotësojmë kërkesat për rezerva, të cilat aktualisht nuk i plotësojmë. E zvogëlon koston e importit të energjisë dhe më e rëndësishmja do të mundësojë lidhjen e kapaciteteve të reja gjeneruese solare dhe me erë, të cilat planifikojmë t’i ndërtojmë gjatë viteve të ardhshme”.

Ndërsa, marrëveshja “Kompakt” në mes Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit sipas Rizvanollit do t’i kursejë shtetit afërsisht 50 milionë euro çdo vit.

“Ky është një investim në kohë të duhur, për të cilin jemi shumë të lumtur dhe i cili do t’ia kursejë shtetit të paktën 50 milionë euro çdo vit dhe kjo është vlerësuar bazuar në çmimet para krizës. Në çmimet e sotme i bie shumëfish më shumë. Pra kur i vendos të gjitha këto bashkë me ndikimin e madh që do të ketë në zhvillimin e aftësive dhe mundësitë e punësimit për një sektor të ri dhe dinamik, programet besoj se do të jenë të parat në rajon. Do të kemi një avantazh në fuqinë punëtore për të ardhmen e sektorit të energjisë në rajon”.

Krahas kësaj, në këtë emision, drejtoresha ekzekutive e MCC-së ka thënë që kanë investuar në një shtet që ka qeverisje demokratike dhe menaxhim të mirë ekonomik.

Programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan.

/Shqip.com