Lajme

Rifat Latifi flet pas dorëheqjes: Vendimi më i vështirë në jetën time

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se dorëheqja e tij me 6 tetor ka qenë një ndër vendimet të vështira që ka marrë në jetë.

Ai ka thënë se gjatë këtyre dhjetë muaj, punnë e ka pranuar me përgjegjësinë më të madhe.

“Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me  zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Ju falënderojë shumë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, besimin tuaj, se ne mund ta rindërtojmë, zhvillojmë, dhe transformojmë shëndetësinë e Kosovës.

Për çdo minutë të kësaj kohe, unë kam pasur nderin  dhe përgjegjësinë më të madhe që dikush mund ta ketë. Për më tepër, gjatë kësaj kohe unë nuk kam bërë vetëm punën e Ministrit, ngase këtë kurrë nuk e kam marrë si punë, por si pasionin  dhe përgjegjësinë më të madhe që kam pasur ndonjëherë”.

Ai ka thënë se edhe pse s’do të jetë ministër i Shëndetësisë do të mbetet ambasadori i Kosovës për të avancuar shëndetësinë dhe se s’do të ndalet së punuari drejt një synimi të tillë.

“Por, dua të ju siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë diasporën shqiptare kudo që jetojnë në botë, se ndonëse nuk do të jem më Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, do të mbetem ambasadori i saj më këmbëngulës për avancimin e shëndetësisë së Kosovës, dhe kurrë nuk do të ndalem së punuari për Kosovën dhe për shëndetësinë e Kosovës dhe për rimëkëmbjen dhe  modernizimin e këtij sektori shumë të injoruar dhe vulnerabël. Kështu, ka qenë qysh nga viti 1985 kur jam shpërngulur në SHBA, e kështu do të jetë derisa nuk e marrë frymën e fundit në këtë botë”. 

Latifi tutje publikon gjetjet sa ishte në krye të Shëndetësisë.

  1. Mungesën e strategjisë themelore për zhvillim afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë si dhe mungesën e projekteve kapitale dhe infrastrukturës spitalore;
  2. Humbje e besimit të donatorëve;
  3. Shkatërrim të Sistemit të Edukimit Post-diplomatik;
  4. Mungesën e infrastrukturës spitalore dhe ekspertizës klinike lokale që si pasojë ka numrin e madh të pacientëve që trajtohen jashtë vendit;
  5. Mosbesim të thellë të publikut në sistemin publik shëndetësor të Kosovës, për shkak të mungesës së ekspertizës, profesionalizmit, keq menaxhimit dhe korrupsionit të madh prezent në çdo hallkë të këtij sistemi;
  6. Mungesën e sistemit informativ shëndetësor dhe
  7. Mungesën e sistemit të sigurimeve shëndetësore,
  8. Keq-menaxhim i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore;
  9. Mangësi të mëdha në hartimin e akteve ligjore për sektorin për gati gjashtë vitet e fundit (Strategjia sektoriale, Strategjia e burimeve njerëzore, Plani i sëmundjeve ngjitëse dhe ligjet bazike të shëndetësisë);
  10. Mungesë totale të aftësive menaxheriale e lidershipit të SHSKUK, që e pamundëson ta zhvillojë këtë institucion; 
  11. Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë, të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës dhe menaxhim diktatorial i administratës, që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim.
  12. Buxheti i vogël dhe mungesa totale e projekteve kapitale për vitin 2022 ishte shembull i neglizhencës zhvillimore të shëndetësisë.
  13. Mungesë totale të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.

Ai po ashtu ka treguar çka ka arritur gjatë 10 muajve.

  1. Të sigurojmë fonde të reja të Lux-Dev-it prej afro 15 milionë eurosh (ishin tërësisht të humbura) për të mbështetur spitalet në Gjilan dhe Prizren si dhe shumë qendra të tjera klinike dhe programe të ekselencës;
  2. Afër 800,000 euro nga Italia për pajisjet e kirurgjisë pediatrike të kardiokirurgjisë,
  3. 1,000,000 euro për zgjerimin e programit të telemjekësisë, dhe
  4. Kemi siguruar mundësinë e edukimit të stafit tonë klinik në Austri, Zvicër, Greqi, Izrael dhe shumë vende të tjera me të cilat jam duke punuar aktualisht.
  5. Për më tepër kemi kthyer besimin edhe të donatorëve të tjerë se tash Ministria e Shëndetësisë është në duar të sigurta dhe me vizion të qartë afatgjatë. Me këtë qëllim kemi realizuar në Prill 2022 Konferencën me donatorët ndërkombëtar në Kosovë, ndërsa të dytën e realizojmë më 15 Nëntor 2022.
  6. Vazhdimin e menaxhimin te shkëlqyeshëm të pandemisë COVID-19, me gjithë kompleksitetin e saj,
  7. Kemi punuar në 26 projekt-ligje, udhëzime administrative dhe koncept-dokumente.
  8. Divizioni Farmaceutik i MSH-së lidhur me furnizimin nga Lista Esenciale e Barnave, ku Msh përmes programit farmaceutik bën furnizim të rregullt dhe të pandërprerë të mbi 16,500 qytetarëve me sëmundje kronike dhe atë për këto kategori:
  • Me tri lloje të insulinave trajtohen 15,231 qytetarë me diabet
  • Numri i pacientëve që trajtohen për Sklerozë të Shumëfishtë është 427
  • Numri i pacientëve që trajtohen për fibrozë cistike është 120
  • Numri i pacientëve që trajtohen për Sindromën Gaucher është 10
  • Numri i pacientëve që trajtohen me barna antiTB është 410
  • Numri i pacientë në terapi Antiretrovirale është 51

/Shqip.com