Lajme Ballkan

Rezultatet e Referendumit në Serbi: Serbët votuan pro ndryshimeve kushtetuese

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se në Referendumin për ndryshimet kushtetuese 60.48% kanë votuar pro ndryshimeve dhe 39.52% kanë votuar kundër, derisa kanë qenë 1.1% të fletëvotimeve të pavlefshme.

“Serbia i ka dërguar botës një mesazh shumë pozitiv”, ka thënë Vuçiq, pas njoftimit të rezultateve.

Ai ka uruar qytetarët serbë, derisa është shprehur i lumtur për atmosferën e qetë gjatë ditës së referendumit.

Gjithashtu, u është përgjigjur edhe kritikëve opozitarë në Serbi që kanë thënë se referendumi ishte një dështim.

“Nëse 60 për qind kanë votuar pro ndryshimeve dhe kjo quhet dështim, atëherë s’kam çka u them tjetër”.

Vuçiq ka folur edhe për përqindjen e atyre që votuan kundër. Tha se ka shumë votues të tij në zgjedhje, që megjithatë në referendum kanë votuar kundër.

Sa u përket ndryshimeve, ka deklaruar se ato do të jenë shumë pozitive dhe do ta pavarësojnë gjyqësorin dhe prokurorinë, prandaj njerëzit do të jenë shumë të kënaqur.

Serbia ka mbajtur Referendum për ndryshime kushtetuese atje, por qëllim kishte vendvotime të organizonte edhe në Kosovë.

Qeveria, presidenca dhe kryeparlamentari dolën kundër, paçka se ambasadorët e shteteve më të fuqishme perëndimore, kërkuan nga Kosova ta lejojë referendumin.

Nën argumentin se shkelet sovraniteti i shtetit nëse lejohet, krerët shtetërorë të Kosovës refuzuan këshillën e ndërkombëtarëve.

Për më tepër, u mbajt një seancë parlamentare ku u nxor edhe një rezolutë që ndalonte këtë referendum dhe autorizonte qeverinë që të marrë të gjitha masat për ta parandaluar.

Pro vendimit të qeverisë për moslejimin e referendumit kanë qenë edhe të gjitha partitë opozitare në Kosovë./Shqip.com