Lajme

Rexhepi: Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rënie

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi
Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka folur për komunikacionin rrugor në Kosovë, duke dhënë statistika për numrin e aksidenteve në periudha të ndryshme, me pasoja, qoftë me fatalitet, qoftë me dëme etj.

Sipas drejtorit të Divizionit të Komunikacionit, numri i aksidenteve në përgjithësi është një rritje e lehtë i këtyre rasteve.

“Përkundër kushteve dhe numrit të automjeteve të ngarkuara, sidomos ditëve të fundit, por edhe kushteve që kanë mbizotëruar nga pjesa e parë e këtij viti, për fat të mirë, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie”, tha Rexhepi, raporton mediumi publik.

Ai ka bërë krahasimin statistikor në periudhën  e njëjtë të vitit të kaluar, ku sipas tij, sivjet numri i aksidenteve me fatalitet është për 10 persona më pak, sesa në vitin e kaluar.

“Numri i aksidenteve në përgjithësi shënon një rritje rreth 5 për qind, derisa aksidente me lëndime e dëme në këtë pjesë të vitit shënojnë një ngritje të lehtë, diku rreth 4 deri në 5 për qind”, deklaroi Rexhepi.

Ai, më tej, shtoi se ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë rrit numrin e automjeteve në trafik, që nënkupton se aksidente mund të kenë rritje në krahasim në muajt paraprak, por edhe në muajt në vijim.

“Por për fat të mirë, numri i aksidenteve me fatalitet në këtë periudhë shënon një ulje të rasteve në krahasim me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara, kështu që Policia e Kosovës ka ngritur një angazhim shtesë që të ketë prezencë të shtuar në terren, në patrullime të ndryshme”, tha, mes tjerash, Rexhepi.

/Shqip.com