Lajme

Reuters: BE s’i dha viza Kosovës dhe s’përmbushi premtimet për Ballkanin

Fotografia e përbashkët e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga samiti në Slloveni

Shefi ekzekutiv i Bashkimit Evropian të mërkurën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Slloveni, siguroi liderët e Ballkanit se ishin “familje” dhe se një ditë do t’i bashkohen bllokut.

Pas disa javësh diskutime, udhëheqësit e BE-së do të bien dakord për një deklaratë të samitit që rishfaq një premtim 18-vjeçar për anëtarësimin e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, në rast se i plotësojnë kriteret, shkruan Reuters, transmeton Shqip.com.

Lexo edhe:
Kurti e Vuçiq takohen në Slloveni, prezentë do të jenë edhe Merkeli e Macroni

Por, me “procesin e zgjerimit” të bllokuar nga mosmarrëveshje të ndryshme si në Bruksel ashtu edhe në rajon, disa nga liderët e Ballkanit mendojnë se deklarata e BE-së është një deklaratë boshe. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u përpoq ta kundërshtojë këtë.

“Mesazhi është se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne i duam ata në Bashkimin Evropian. Ne jemi një familje evropiane,” u tha von der Leyen gazetarëve kur mbërriti në samitin me udhëheqësit e Ballkanit në Slloveni.

“Ne ndajmë të njëjtën histori. Ndajmë të njëjtat vlera, dhe jam thellësisht e bindur që ndajmë të njëjtin fat gjithashtu”.

BE-ja është deri tani investitori më i madh i huaj dhe partneri tregtar i gjashtë vendeve që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat etnike të viteve 1990.

Por, sipas Reuters, përpjekja nga presidenca sllovene e BE-së për ta bërë vitin 2030 synim për anëtarësimin e gjashtë shteteve ishte e pasuksesshme dhe blloku gjithashtu ka dështuar që t’i mbajë premtimet që janë të prekshme për qytetarët, siç është udhëtimi pa viza për Kosovën.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në këtë Samit, ka bërë thirrje për liberalizim të vizave për kosovarët. Vonesën në këtë proces e ka cilësuar padrejtësi të madhe të institucioneve evropiane. /SHQIP.com