Restelica: Nuk jam shkarkuar, kam dhënë dorëheqje të parevokueshme

Për kundër faktit se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë që është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në NPL Parking Prishtina, Liridon Restelica ka thënë se ka dhënë dorëheqje.
Përmes një postimi në Facebook, Restelica ka thënë se dorëheqjen e ka dhënë me 19 gusht e cila ishte e parevokueshme.
“Unë kam dhënë dorëheqje me datë 19 gusht 2022, ditë e premte, të njëjtën e kam protokolluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku kam kryer funksionin. Arsyet e dorëheqjes veqse janë të theksuara ne akt-dorëheqjen. Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme”, shkroi Restelica.
Ndërsa, ai tutje shtoi se për të ruajtur reputacionin e tij do të shikojë në mundësitë ligjore.
“Për të ruajtur reputacionin dhe dinjitetin tim, do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit tim dhe kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku kam punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani”.

Ndërsa, Rama gjatë ditës së sotme tha se Restelica është shkarkuar për shkak se ka keqpërdorur pozitën dhe ka bërë keqmenaxhim të ndërmarrjes.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””, shkroi Rama.
Sahatçiu: Kontrata në vlerë të 750 mijë eurove me “NPL Parking Prishtina” të anulohet
Për këtë kishte reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo ka thënë se kontrata në vlerë të 750 mijë eurove e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet.