Lajme

Reshje bore dhe temperatura nën zero, Shqipëria “pushtohet” nga moti i keq

Pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë është përfshirë nga moti i keq i shoqëruar nga reshje intensive bore dhe temperatura të ulëta. Qarku i Kukësit është zgjuar mëngjesin e së shtunës i mbuluar nga dëbora. Bëhet e ditur reshjet e dendura të borës kanë rënë gjatë gjithë natës dhe vijojnë ende.

Trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15-30 cm.

Sipas informacioneve, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika. Ndërkohë, qyteti i Kukësit dhe Njësia Administrative Zapod janë duke u furnizuar me energji elektrike në mënyrë të pjesshme.

Ndërsa, në qytetin e Krumës dhe atë të Bajram Currit nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut ka mbetur aktualisht në terr. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

Në rrugën e Kombit ka reshje dëbore por segmenti qarkullohet normalisht.

Gjatë orëve të pasdites edhe Qarku i Korçës është përfshirë nga reshje të dendura bore. Qyteti i Korçës është zbardhur teksa trashësia e borës arrin në disa centimetra.

Probleme me qarkullimin e automjeteve ka patur në aksin Prrenjas- Qafë Thanë- Pogradec- Qafë Plloçë.

Ndërsa, në qarkun e Elbasanit ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar gjatë natës. Situata në qark paraqitet pa shumë problematika dhe akset rrugore nacionale janë të gjitha të hapura.

Ne aksin rrugor nacional Librazhd-Steblevë, në Steblevë kanë filluar reshjet e borës, por rruga është e kalueshme. Edhe prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë mesatare dhe nuk paraqesin probleme.

Reshje vijojnë edhe në qarkun e Shkodrës.

Bashkia Shkodër: – Rruga Bogë-Theth është e kalueshme, pasi borëpastruesit janë duke punuar aktualisht.

Bashkia Vau Dejës: – Në Njësitë Administrative Vau Dejes, Bushat dhe Vig Mnele reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të mesëm, në këto njësi Administrative nuk ka energji elektrike. Në Njësitë Administrative Temal dhe Shllak, reshjet e dëborës kanë arritur në trashësinë 30 cm, mungon edhe furnizimi me energji elektrike, disa rrugë rurale janë bllokuar.

Bashkia Pukë: – Deri në këtë moment, nuk raportohen probleme. Po punohet me mjete, 1 fadromë dhe borëpastruese për të mbajtur rrugët e hapura, kryesisht ato rurale.

Bashkia Fushë Arrëz: – Situata në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz është e rënduar për shkak të reshjeve të shiut para dy ditësh. Rrugët auto-rurale në Njësitë Administrative Iballe, Fierz, Blerim dhe Qafe-Mali janë të bllokuara si dhe energjia elektrike është ndërprerë në të gjithë territorin e bashkisë.

Në segmentin rrugor Kryqëzim Hadroj Gjegjan-Mirdite vijojnë reshjet intensive të borës. Mjetet janë në punë për pastrim dhe po hedhin sasi kripe. Rruga është ende e qarkullueshme ndërkohë që në segmentin rrugor Qafë Mali-Fierzë vazhdojnë reshjet e borës dhe fryn ere me shpejtesi te madhe.

Ministria e Infrastrukturës njofton situatën e fundit nga moti i keq:

Vendi ynë, prej mbrëmjës së djeshme, është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta. Për menaxhimin e situatës në terren janë angazhuar me kapacitete të plota të gjitha strukturat të cilat janë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

🛣AKSET RRUGORE
Intensiteti i lartë i reshjve të dëborës ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim. Edhe në rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve. Në segmented Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në akset Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese. Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë. Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht. Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë në të gjitha zonat ku janë regjistruar reshje dëbore.

⚡️FURNZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë. Prioritet mbetet furnizimi me energji elektrike i objekteve të rëndësisë së veçantë. Si pasojë e motit janë 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit, ku stakimi i energjisë ka ardhur si pasojë e këputjes së përcjellësave, thyerjes së izolatorëve apo dëmtimi i kabllove. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore. Me gjithë vështirësitë e motit po vijon puna për riparimin e tyre. Gjithashtu, ka pësuar defekt edhe një prej fiderave të nënstacionit Lezhë, i cili furnizon me energji elektrike Hidrovorin Gocaj dhe Fideri 7 N/St Lezhë që furnizon me energji elektrike hidrovorin Grykëzezë. Të gjitha linjat 35Kv, si dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 KV që furnizojnë hidrovorët janë në skemë normale të furnizimit me energji elektrike. Prej mëngjesit të sotëm, si pasojë e erës së fortë, janë stakuar linja 400 kV Tirana 2 – Podgoricë dhe Tirana 2-Koman, pa ndikim tek konsumatorët. Situata në kaskadën e Drinit paraqitet normale.

💧FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM

Situata e furnizimit me ujë paraqitet normale dhe pa problematika. Edhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksion të plotë dhe nuk janë raportuar problematika. Të gjitha ekipet e shoqërive rajonale UK janë në gatishmëri.

⚓️PORTET DHE ✈️AEROPORTET

Në Portin e Durrësit situata oparaqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Edhe në Portin e Vlorës nuk raportohen problematika. Lëvizja e tragetit ka vijuar sipas orarit të parashikuar. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.

/Shqip.com