Rënie drastike e çmimit të karburantit në bursat botërore. Skandal në Shqipëri, kostoja e 1 litër naftë arrin 192 lekë
Çmimi i Brent Crude Oil ka shënuar një rënie të ndjeshme në bursat botërore gjatë 24 orëve të fundit, ku një fuçi ka rënë në rreth 85 dollarë.
Sipas të dhënave nga tregtimi me kontrata futures, çmimi i naftës aktualisht është rreth 85,10 dollarë për fuçi, që paraqet një rënie ditore prej 2,41 për qind, ose 2,10 dollarë më pak krahasuar me mbylljen e mëparshme, kur një fuçi tregtohej me 87,20 dollarë.
Grafiku i 24 orëve të fundit tregon një rënie edhe më të theksuar nëse merret parasysh niveli i një nate më parë. Sipas lëvizjeve në treg, çmimi i naftës nga gati 110 dollarë për fuçi, sa ishte rreth mesnatës, ka rënë gradualisht gjatë ditës, për të zbritur pasdite edhe nën kufirin prej 85 dollarësh.

Analistët e tregut theksojnë se këto luhatje të shpejta janë rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë zhvillimet gjeopolitike, lëvizjet e ofertës dhe kërkesës globale, si dhe reagimet e investitorëve në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ndërkohë, pavarësisht se çmimi i naftës ka zbritur ndjeshëm në bursa dhe tregjet ndërkombëtare, e kundërta po ndodh në Shqipëri. Pikat e karburantit të Kastratit, Gega, Elda, Alpet apo dhe ESP Oil, e tregtojnë me çmime stratosferike deri në 192 lekë për litër. 1 javë më parë 1 litër karburant në Shqipëri kushtonte 170 lekë. Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se do të monitorojë tregun, por deri tani paralajmërimi i këtij institucioni është shpërfillur nga grosistët e mëdhenj të naftës të cilët nuk vonojnë t’i lëvizin çmimiet sipas orekseve personale dhe pa pyetur aspak për ligjin.

/Shqip.com