Lajme

Renditja e dobët në PISA, Nagavci gjithë fajin ia lë SBASHK-ut

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se SBASHK-u është një nga faktorët që ka ndikuar në rënie të këtyre performancave.

Megjithatë, Nagavci ka potencuar se përkundër grevave të mbajtura nga mësimdhënësit, përsëri s’ka pasur rritje të pagave, e madje as realizim të kërkesave të tyre.

“Kur përmenda faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e PISA-s, nuk e përmenda edhe SBASHK-un, apo grevat e mbajtura në vazhdimësi. S’duhet të harrojmë, që për vite me radhë, përveç këtij viti, ku ishte viti i parë që filluam pa greva. Për vite me radhë, procesi mësimor ka filluar pothuajse me një muaj vonesë për shkak të grevave, në përjashtim të grevës së fundit në vitin e kaluar, ku mësimi filloi tek pas një muaji. [Por, në vitet paraprake, për çdo herë kur janë organizuar grevat, asnjëherë s’ka pasur rritje të pagës apo realizim të kërkesave për të cilat SBASHK-u ka filluar grevat”, theksoi Nagavci.

Po ashtu, Nagavci u shpreh e bindur që mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar, që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim.

Njëherit, ministrja bëri të ditur se tashmë kanë filluar të merren me këtë çështje, ku edhe pretendojnë të fillojnë në qershor të këtij viti.

“Sa i përket provimit të nxënësve, ne e kemi shqyrtuar këtë çështje që para marrjes së mandatit. Që nga marrja e mandatit, ne e kemi shikuar komplet legjislacionin që ka të bëjë me licencimin e mësimdhënësve. Kemi paraparë licencën e avancuar për mësimdhënësit, kemi paraparë në ligjin e pagave dhe buxhetit shtesën për mësimdhënësit që arrijnë licencën e avancuar. E për të arritur këtë licencë, është i paraparë edhe provimi për mësimdhënësit të cilët dëshirojnë të marrin licencën e avancuar. Synojmë që të fillojmë në qershor të këtij viti, që tashmë kemi filluar punën që e rregullojnë këtë çështje”, shtoi tutje Nagavci në Tëvë1.

Kujtojmë se nga Kosova kanë marrë pjesë 6.027 nxënës nga 229 shkolla.

/Shqip.com