Ekonomi Biznes

Remonti i A5 do të nisë në janar të vitit 2023

KEK
KEK

Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, i ka thënë të premten Buletinit Ekonomik se për remontin kapital të njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociatave me disa operatorë të kualifikuar ndërkombëtarë (për remont të kalldajës, turbinës dhe gjeneratorit të kësaj njësie).

Negociatat për LOT 1, ose për remontin kapital të turbinës dhe gjeneratorit, kanë përfunduar tashmë.

Kontrata me punëkryesin është nënshkruar më 5 dhjetor 2022 dhe në bazë të kësaj kontrate, pritet nga operatori që të fillojë me punime brenda afateve të parapara dhe ky afat është gjysma e parë e janarit 2023.

Sipas Bucollit, edhe remonti emergjent kapital i kalldasë pritet të përfundojë brenda afatit të kryerjes së remontit kapital të turbinës dhe gjeneratorit, ose brenda 90 ditëve nga dita e fillimit të punimeve.

KEK-u ka pasur mundësi reale të prodhojë më shumë energji elektrike edhe me kapacitet ekzistuese, dhe në këtë mënyrë ta zbusë mungesën e energjisë elektrike për konsumin e vendit, po të ishte më i vendosur, më i përkushtueshëm dhe më insistues për të angazhuar në prodhim të gjitha njësitë e disponueshme të termocentraleve.

Më konkretisht, po të futej në procesin e prodhimit blloku A5 i termocentraleve Kosova A, sipas parashikimeve të para të autoriteteve të KEK-ut, kjo njësi me goxha fuqi prodhuese (diku rreth 150 megavatë-orë në rrjet), kaherë do të ishte duke prodhuar dhe më së largu në fund të këtij viti, ndërsa sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të shtonte plus 150 megavatë-orë rrymë, ose prodhimi në termokapacitetet e vendit do të arrinte afër një mijë megavatëshit.

Dhe dihet rëndësia e kësaj sasie të rrymës për konsumin e vendit, sidomos po t’i kishim tani në ditët e ftohta të dimrit, kur kërkesat për energji elektrike shtohen ndjeshëm.

Por, për të arritur rikthimin e A5-shit në punë ka qenë e domosdoshme të realizohet remonti kapital i turbinës, kalldajës dhe gjeneratorit të kësaj njësie prodhuese, i planifikuar të nisë gjatë muajve të verës, punë këto që jo vetëm që nuk u përmbyllën gjatë 2022-tës, por ende nuk kanë filluar.

/Shqip.com