Lajme Botë

REL: Lufta në Ukrainë nxit Çekinë që të rimendojë lidhjet me Kinën

Presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel, dhe gruaja e tij Eva Pavlova. /Foto: Reuters
Presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel, dhe gruaja e tij Eva Pavlova. /Foto: Reuters

Duke pranuar të realizojë një bisedë telefonike 15-minutëshe me homologen e tij tajvaneze, presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel, theu protokollin diplomatik të vendosur me dekada, dhe hapi rrugë për një epokë të re të raporteve midis Evropës dhe Kinës – dhe me gjasë shteti i tij do të jetë udhëheqës i kësaj epoke të re.

Biseda e 30 janarit me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-Wen, u zhvillua pak kohë pasi Pavel u zgjodh president i ri i Republikës Çeke, dhe nxiti reagimin e Kinës, e cila e dënoi këtë bisedë dhe e akuzoi Pragën se po shkelë “vijë e saj të kuqe”.

Kjo bisedë telefonike shënoi largimin nga normat e mëhershme, kur bëhej fjalë me angazhimin me politikanët e nivelit të lartë nga ky ishull vetëqeverisës. Këmbimet zyrtare zakonisht janë të kufizuara në nivel të shërbyesve civilë dhe të niveleve më të ulëta të ministrive. Por, Pavel u bë lideri i parë evropian që bisedoi drejtpërdrejtë me një lider të Tajvanit.

Ky vendim i presidentit të ri çek erdhi në kohën kur Bashkimi Evropian po e rimendon marrëdhënien e tij me Pekinin, proces që është përshpejtuar nga mënyra sesi Kina e ka trajtuar pandeminë COVID-19, nga rritja e retorikës agresive diplomatike dhe mbështetjes së vazhdueshme që Kina i jep Moskës, pavarësisht pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

“Nuk duhet ta lejojmë Kinën t’ia bëjë Tajvanit atë që Rusia po ia bën Ukrainës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petr Kolar, ish-diplomat çek, i cili tani këshillon Pavelin për çështjet e politikës së jashtme. “Besoj se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është për shkak të mungesës së një mesazhi të qartë [të Evropës] ndaj Rusisë për vite me radhë. Kjo është një kambanë zgjimi, dhe tregon se sa e rëndësishme është që të tregohet prej fillimit se demokracitë e tjera, sikurse Tajvani, nuk do të braktisen”.

Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile të vitit 1949. Që nga vitet ’70 e tutje, shumica e shteteve kanë vendosur lidhje formale me Pekinin, duke e lënë Tajpein me pak miq, pasi fuqia politike dhe ekonomike e Kinës u zgjerua në mbarë botën. Pekini e sheh Tajvanin si provincë të saj dhe është zotuar për ribashkim, edhe përmes forcës nëse është e nevojshme.

Duke e thyer këtë precedent diplomatik, Kolar tha se Republika Çeke tani e gjen veten të pozicionuar mirë “për të ndikuar apo bindur” edhe liderët e tjerë evropianë që të bëjnë hapa drejt angazhimit të tyre me Tajpein. Në vitet e fundit, një mori ligjvënësish evropianë nga disa shtete kanë vizituar Tajpein dhe janë takuar me udhëheqjen tajvaneze, duke zemëruar Kinën.

Pavel, ish-gjeneral i NATO-s, ka hapur rrugën për angazhim me Tajvanin. Gjatë fushatës zgjedhore dhe pas bisedës me Tsai, ai u zotua se do të takohet personalisht me presidenten tajvaneze – edhe pse ai nuk ka specifikuar se kur mund të ndodhë ky takim, ku dhe në çfarë formati.

“Biseda telefonike thyen akullin për ta bërë këtë gjë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Martin Hala, ekspert për Kinën në Universitetin Charles në Pragë, njëherësh drejtor i Sinopsis, projekt që gjurmon ndikimin kinez në gjithë Evropën. “Tani që dikush e ka bërë këtë, të tjerët kanë shumë gjasa që ta ndjekin këtë shembull”.

Rruga e Pragës përpara

Ndryshimi i Pavelit ndaj Kinës dhe Tajvanit shënon një ndarje të qartë me paraardhësin e tij, presidentin aktual çek, Millosh Zeman, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në mars.

Gjatë mandatit dhjetëvjeçar të Zemanit – i ndarë në dy mandate pesëvjeçare – ai krijoi lidhje më të forta me Kinën dhe mbajti një linjë pro-Pekinit për shumë çështje sa i përket të drejtave të njeriut, me shpresën që të tërheqë investime më të mëdha kineze.

Në një lëvizje që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe kritika në shtet, Zeman emëroi Ye Jianming, ish-kreun e kompanisë China Energy, si këshilltar nderi për ekonomi. Miliarderi u arrestua më 2018 nga autoritetet kineze dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti çek, Millosh Zeman. Foto: AP

Kolar – konsulent politik që më herët ka shërbyer si ambasador rus në Pragë – tha se Paveli po kërkon që të përafrojë pikëpamjet e tij të politikës së jashtme me traditën postkomuniste të Republikës Çeke për mbështetjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në nivel global.

Ai tha se mbështetja për Tajvanin duhet të shihet si pjesë e një ndryshimi më të gjerë të paradigmës në Evropë, të formësuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

Gjatë fushatës, Pavel ka mbështetur Evropën në ndihmën për Ukrainën dhe ka thënë se udhëtimin e parë jashtë vendit si president do ta realizojë në Kiev së bashku me presidenten sllovake, Zuzana Caputova.

“[Pushtimi i Ukrainës] është përkujtues se demokracitë evropiane duhet të përqendrohen në agresionin e Kinës ndaj Tajvanit”, tha ai. “Ne duhet të tregojmë mbështetje tani, në mënyrë që Pekini të mos tundohet që të përdorë forcë më vonë, sikurse ka bërë Rusia”.

Sipas Kushtetutës së Çekisë, presidenti ka kryesisht fuqi ceremoniale, por presidentët mund të kenë ndikim joformal për shumë vendime kyçe, veçmas në politikën e jashtme. Presidenca është e ndarë nga Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri, që ka fuqi formale për të qeverisur dhe për të krijuar politika.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, dhe presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel. Foto: AP

Por, për dallim nga Zemani, qëndrimet e Pavelit ndaj Tajvanit, Rusisë dhe për çështje të tjera të politikës së jashtme përputhen me koalicionin qeverisës të kryeministrit çek, Petr Fiala, potencialisht duke sjellë një epokë të rrallë të unitetit.

Tajvani, që është shtet kritik në zinxhirët e furnizimit global, është bërë një investitor më i madh se Kina në Republikën Çeke dhe kompanitë tajvaneze po vazhdojnë të zgjerojnë lidhjet e tyre në Evropë.

Tajvani prodhon mbi 90 për qind të gjysmëpërçuesve të botës, që janë kyçë në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë, të cilët janë vitalë për ekonomitë në mbarë botën.

“Tajvani e kupton se ka një mundësi tani, pasi Evropa është në proces të rimendimit të marrëdhënies së saj me Kinën”, tha për REL-in, Zsuzsa Anna Ferenczy, hulumtuese në Universitetin Kombëtar Dong Hwa në Tajvan, njëherësh ish-këshilltare në Parlamentin Evropian.

“Shtetet anëtare individuale në BE tani kanë më shumë vullnet që të flasin hapur dhe të ofrojnë forma të reja për të mbështetur Tajvanin. Tajpei po shpreson që të përfitojë nga kjo”.

Një e re në Evropën Qendrore dhe Lindore

Në përgjigje të telefonatës midis Pavelit dhe Tsait, Pekini akuzoi Republikën Çeke për shkelje të “parimit një Kinë”, nën të cilin, Pekini e konsideron veten si Qeverinë e vetme legjitime të Kinës dhe e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur.

Vetëm 13 shtete dhe Vatikani ka raporte zyrtare diplomatike me Tajvanin dhe e njohin ishullin, me 24 milionë banorë, si shtet të pavarur. Shumë shtete perëndimore nuk e kundërshtojnë hapur pretendimin e Kinës ndaj Tajvanit, por këto shtete as nuk e mbështesin.

“Është në interesin [e Republikës Çeke] për të forcuar raportet me Tajvanin dhe me partnerët e tjerë demokratikë në rajonin e Indo-Paqësorit”, tha për Politico ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky. “Ne kemi politikën tonë ‘një Kinë’. Asgjë nuk ka ndryshuar”.

Njohja formale e Tajvanit nuk është në mendjen e Pragës, e as në shtetet e tjera të BE-së. Por, analistët dhe zyrtarët e kanë pranuar se shtetet e bllokut mund të marrin një qëndrim më të prerë ndaj Pekinit dhe Tajpeit.

Ky ndryshim ka ndodhur në Republikën Çeke dhe në mbarë Evropën Qendrore dhe Lindore – me përjashtim Hungarinë – për vite me radhë. Kreu i Senatit çek, MIllosh Vystrcil, udhëhoqi një delegacion në Tajvan më 2020 dhe parlamentet çeke dhe sllovake mirëpritën ministrin e Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, gjatë një vizite të paprecedent më 2021.

Ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, gjatë marrjes së medaljes nga kreu i Senatit çek, Millosh Vystcil, gjatë vizitës në Pragë më 2021. Foto: Reuters

Nisma e Kinës, e quajtur “17+1” – ku bëjnë pjesë Kina dhe 17 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore – është funksionalizuar viteve të fundit. Lituania u tërhoq nga kjo nismë më 2021, ndërkaq, Estonia dhe Letonia po ashtu vepruan njësojë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe për shkak të mbështetjes që Kina i jep Moskës. Anëtarët e tjerë të kësaj nisme, sikurse Republika Çeke dhe Sllovakia, ende nuk janë larguar zyrtarisht, por kanë reduktuar angazhimin e tyre në këtë format.

“Marrëdhënia jonë me Kinën është duke u rishikuar”, tha Lipavsky për New York Times, gjatë një interviste dhënë në shkurt. “Ka lindur një realitet i ri gjeopolitik”./REL

/Shqip.com