Teknologji

Rekord aplikimesh për edicionin e 11-të të Albanian ICT Awards

Mbi 150 kandidatë kanë dorëzuar 117 aplikime në gjashtë kategori të ndryshme në edicionin e 11-të Albanian ICT Awards.

Aplikimet janë pranuar nga juria profesionale që përbëhet prej profesionistë dhe figura të shquara të teknologjisë nga institucione publike dhe private, institucione akademike dhe biznese e sipërmarrje të suksesshme në takimin e saj të parë më 2 Maj 2023 në Tiranë dhe me pjesëmarrje virtuale nga Prishtina.

Juria e edicionit të 11-të përbëhet nga: Blerim Rexha, Edlira Martiri, Igli Gjelishti, Erion Serti, Gjergji Guri, Faola Hodaj, Linda Shomo, Ermal Beqiri, Ardiola Hristiç, Ervis Smakaj, Gazmend Selmani, Enis Vehapi, Visar Shehu dhe Evi Hoxha.

Kjo ngjarje e një rëndësie të madhe që ka mbi një dekadë, është themeluar dhe organizuar nga ICTSmedia dhe Shoqata ALBICT, me edicionin e 11-të që bëri hapjen zyrtare më 10 Mars 2023, Albanian ICT Awards hyri në dekadën e saj të dytë me mision integral për mbarë komunitetin Shqiptar të teknologjisë dhe influencuar perceptimin publik për rolin e industrisë e teknologjisë në shoqërinë shqiptare.

Gjatë takimit të parë juria u njoh me listën e nominimeve dhe aplikimeve të më shumë se 150 kandidatëve dhe 117 projektet e tyre inovative në garë për çmimet e mëdha të teknologjisë. Ndryshe nga vitet e kaluara, juria e ICT Awards u nda këtë edicion në tre komitete të ndryshme vlerësimi sipas kategorisë dhe ekspertizës të anëtarëve të jurisë.

Me një profil me një eksperiencë të gjatë menaxheriale në teknologji dhe anëtar juria prej pesë vitesh në ICT Awards, z. Gjergji Guri themelues i Facilization u votua unanimisht si kryetar i jurisë.

Anëtar i bordit drejtues për Teknologjinë e Informacionit dhe Operacionet pranë Raiffeisen Bank Albania dhe eksperiencë të gjatë në teknologji, z. Erion Serti u votua në rolin e zëvendës kryetarit të jurisë.

Dy takime të tjera do të pasojnë mes jurisë dhe një liste të ngushtë kandidatësh të cilët do të prezantojë projektet e tyre duke i paraprirë Mbrëmjes Gala.

Edicioni i 11-të i Albanian ICT Awards nisi turin e takimeve gjatë muajit Mars, ndërsa u zhvilluan mbi 25 takime në shkollat fillore dhe të mesme, universitete, hapësira të inovacionit, komuna dhe bashki Shqiptare në rajon dhe më gjerë.

Në kuadër të takimeve informuese që organizohen gjatë fazës së aplikimeve, falë një bashkëpunimi me Unionin e Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon, një përfaqësi e Albanian ICT Awards u prit nga Kryetari i Komunës Ferizaj z. Agim Aliu, Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini, nënkryetari i Komunës së Preshevës z. Almin Shaqiri, Kryetari i Komunës së Bujanocit z. Nagip Arifi në Kosovë dhe Luginën e Preshevës si dhe nga Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike z. Azir Aliu në Maqedoninë e Veriut dhe z. Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Takimet informative në Shqipëri dhe Kosovë vijuan deri në përmbyllje të aplikimeve pranë: Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Gjimnazit Britanik të Teknologjisë, Institutit Kanadez të Teknologjisë, Kolegjit AAB, Innovation Academy, Universitetit Epoka, Universitetit të Prishtinës, Universitetit Luarasi, Universitetit Polis, Institutit Harry Fultz, Kolegjit Ndërkombëtar Universum, Shkollës Digjitale Prizren, Universitetit të Prizrenit, Kolegjit Riinvest, Universitetit Politeknik të Tiranës, Shkollës Teknike “Gjergji Canco”, Shkollës së Mesme Profesionale Hermann Gmeiner dhe RIT Kosovo/AUK.

Edicioni i 11-të i kësaj gare priti aplikime në formatin online në gjashtë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje deri në 16-vjeç, ICT Ylli në Ngritje 16-21 vjeç dhe Cyber Security Awards.

Kjo garë organizohet nga ICTSmedia dhe Shoqata ALBICT, dhe prej 10 vitesh ka mbajtur mbi 300 evenimente me 2500 garues dhe 200 finalistë. Më 26 Maj të këtij viti, do të bëhet shpallja e fituesve të Albanian ICT Awards në Mbrëmjen Gala.

Fituesit e Albanian ICT Awards ndër vite kanë qenë individë, karriera profesionale e të cilëve është shembull kapërcimi sfidash dhe suksesi, përpjekja, vendosmëria dhe kreativiteti i të cilëve, iu ka dhënë atyre një njohje prestigjioze në komunitetin shqiptar të teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.

Misioni i Albanian ICT Awards është njohja dhe promovimi i punës së këtyre sipërmarrësve, shkencëtarëve artistëve dhe yjeve të teknologjisë për kontributin e tyre që na bën të shikojmë drejt të ardhmes plot shpresë.

Edicioni i 11-të i Albanian ICT Awards nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e çmuar të sponsorëve Diamond si Raiffeisen Invest, Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare, Albvision; Platinium si Dev.al, Vodafone Albania dhe Albsoft; Gold si Soft&Solutions, Digit Sapiens, Baboon, Facilization, Vigan dhe Silver si EasyPay, 3i Solutions, Imbus, Armundia Factory.

Albanian ICT Awards gëzon një partneritet të zgjeruar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nëpërmjet Programit Star Venture financuar nga Enterprise Development Innovation Fund (EDIF) dhe Luksemburgu, AUK, SEEU Tech Park dhe UNICEF Albania.

/Shqip.com