Kulturë Kino

Regjisorja Blerta Basholli nderohet me Çmimin vjetor për Kinematografi

Sot është ndarë çmimi vjetor për Kinematografi.

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë ndarë Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i cili i është dhënë laureatit Abdurrahman Shala, aktor post-mortem, ndërsa Çmimin Vjetor për Kinematografi e ka fituar regjisorja Blerta Basholli.

Hapjen e kësaj ceremonie e bëri Berat Miftari, i njohur për veshët e shumë qytetarëve të Kosovës.

Çmimin Vjetor për Kinematografi e ndau kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh mirënjohës për të arriturat e kinematografisë kosovare.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia kosovare arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë. Sipas tij, përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ndau çmimin për familjarin e Abdurrahman Shalës.

Anëtarë të jurisë profesionale ishin, Blerta Zeqiri, Ujkan Hysaj, Alush Gashi, Veton Nurkollari dhe Bardh Rugova.