Lajme Botë

Refuzoi ndihmën për shuarjen e zjarreve, tërhiqet pas disa orësh Greqia

Disa orë pasi refuzoi ndihmën e Shqipërisë për ta ndihmuar në situatën e vështirë që po kalon për zjarret, Greqia është tërhequr dhe ka pranuar ndihmën e vendit tonë, thonë burime për Report Tv. Kryeministri grek, Mitsotakis ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën.

Pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit për çështjen Beleri, Shqipëria u tragua e gatshme që të ndihmojë Greqinë ku deri më tani janë shënuar 20 viktima nga zjarret, por Athina refuzoi ndihmën me argumentin se nevojat për ndërhyrjen nga toka janë plotësuar nga vendet e tjera.

Pas një kërkese të Greqisë për ndihmë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 58 forca zjarrfikëse janë nisur tashmë për në vendin fqinj për të asistuar me ndihmë.

Lexo edhe:
Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë, kthen mbrapa zjarrëfikësit

Forcat zjarrfikëse fillimisht u lanë të presin në doganën e Kapshticës dhe më pas u kthyen mbrapsht nga pala greke. Në një sqarim nga Ministria e Mbrojtjes së vendit tonë, tha se pala greke kishte refuzuar ndihmën duke thënë se ishin plotësuar nevojat për ndërhyrjen nga toka.

“Nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera”, njofton ministria.

Një ekip me 48 efektivë dhe 9 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër ishin dislokuar në afërsi të shtetit fqinj për të ndihmuar Greqinë.

Lexo edhe:
Peleshi tregon se pse Greqia i refuzoi zjarrëfikësit e Shqipërisë

Edhe në Kakavijë zjarrfikësit e Dropullit dhe të Gjirokastrës u nisën me kërkesë të kryebashkiakëve, Dhimitraq Toli dhe Flamur Golemi mëngjesin e sotëm, por kur janë afruar tek pika e kalimit kufitar në Kakavijë u kthyen mbrapsht pa i dhënë asnjë shpjegim veçse që nuk do të kalonin kufirin

Prej 5 ditësh Greqia vazhdon luftën me flakët në disa rajone, ku zjarret vazhdojnë të djegin sipërfaqe të tëra. Vatra më e vështirë mbetet ajo në Evros, ku për të pestën ditë po vijojnë operacionet e zjarrfikësve në Aleksandropolis dhe pyllin e Dadias, ku dje u gjetën të vdekur 18 emigrantë.

Mediat greke raportojnë se zjarret vazhdojën edhe në rajone të tjera ku vatrat mbeten aktive në Aspropirgos, Rodopi, Ftiotidë, Vioti etj. Ndërkaq edhe gjatë së mërkurës kanë vijuar evakuimet në disa zona të banuara që kanë qenë të rrezikuara nga zjarret. Përveç zjarrfikësve grekë, në ndihmë panë shkuar edhe ekipe emergjence nga shumë vende të Evropës. Dyshohet se shumë prej zjarreve në Greqi janë të qëllimshme dhe policia ka arrestuar një person pasi shkaktoi gjatë djegies së barit flakët dolën jashtë kontrollit në Atikë.

/Shqip.com