Lajme

Reduktime të rrymës mbi dy orë – Rizvanolli paralajmëron dërgimin e dosjes në polici

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se do të dorëzojë në Policinë e Kosovës një dosje me raportimet e qytetarëve të cilët janë ankuar se kanë mbetur pa energji elektrike për orë të tëra.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura.

Lexo edhe:
Qeveria shpall masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji elektrike

Të gjitha këto raste Rizvanolli ka thënë se do të hetohen nga PK-ja.

Plani i reduktimeve i cili parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim, ministrja ka thënë se duhet të implementohet në mënyrë të barabartë, si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët.

KEDS

“Nëse kjo nuk ndodhë, siç edhe tregojnë raportimet nga tereni, atëherë ME është e obliguar që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat e saj”, ka shkruar ajo në Facebook.

Rizvanolli mes tjerash ka thënë se i ka kërkuar KEDS-it të ndalë devijimet, përderisa Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete për subvencionimin e importit të energjisë elektrike.

“Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale”.

Ndërsa, nga Inspektoriati i Energjisë ka thënë se ka kërkuar të kenë vigjilencë dhe angazhim të shtuar për të monitoruar situatën.

“Ministria e Ekonomisë së bashku me Inspektoriatin e Energjisë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i sjellur para ligjit të gjithë personat fizikë e juridikë të cilët shfrytëzojnë krizën e energjisë elektrike me të cilën po përballemi, si dhe reduktimet e planifikuara, për të penguar furnizimin me energji e trajtimin e barabartë të të gjithë konsumatorëve”.

Lexo edhe:
Procedohet për në Kuvend vendimi i Qeverisë për masat emergjente

“Në një situatë si kjo na duhet mirëkuptim e solidarizim, por ja që zakonet e vjetra nuk harrohen lehtë nga keqbërësit të cilët krizat i shohin si mundësi përfitimi. Ndaj tyre do të veprojmë me forcën e ligjit”.

“Ministria e Ekonomisë dhe Inspektoriati i Energjisë janë duke përcjellur situatën nga afër dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që t’i raportojnë rastet e dyshimta në [email protected]”, thuhet në postimin e ministres./SHQIP.com