Lajme

Reçica: Hajdari veç sa s’tha fëmija ma ka shkelur kerrin

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka ironizuar me deklaratën e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas një aksidenti që ishte përfshirë.

Hajdari pas këtij aksidenti ka thënë “ fëmija i aksidentuar u hodh në veturën e saj”.

E për këtë ai ka thënë se Hajdari veç sa s’tha fëmija ma ka shkelur kerrin.

“Ka dalë, qysh ka thënë bukfalisht, vërtetë është për t’u turpëruar. Ajo veç që s’ka thënë fëmija ma ka shkelur kerrin”, ka thënë ai në Pressing.

Reçica ka thënë se nuk duhet të ketë asnjë privilegj për zyrtarët e pushtetit. Ai ka deklaruar se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë për çfarëdo shkelje që bëjnë ata.

“Nuk duhet të ketë, absolutisht, asnjë privilegj askush. Fëmijë ka qenë, në vend se me dalë me marrë përgjegjësi.. të gjithëve na ndodh. Ne jemi në komunikacion gjithmonë”, ka thënë Reçica.

Lexo edhe:
Aksidentohet Ministrja Hajdari: Një fëmijë u përplas në veturën time

Nga ana tjetër Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, muaj më parë ka bërë të ditur se gjatë rrugës për në banesë, papritur në rrugë janë shfaqur dy fëmijë në vrapim dhe njëri nga ta është përplasur në veturën e saj.

“Sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time”, ka shkruar ajo.

Hajdari gjithashtu ka treguar se pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk ka pësuar lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi.

Pas këtij aksidente nga shumë qytetarë është kërkuar dorëheqja e saj./SHQIP.com