Lajme

Reagon Rrahman Jasharaj: S’jam hajn as milioner, në bankë kam paratë e varrimit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka reaguar përmes një letre publike ndaj Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim.

Sipas Jasharajt, përfaqësuesi i kësaj organizate, Dibran Hoxha, në një debat televiziv ku temë diskutimi ishin protestat dhe grevat lidhur me Ligjin për pagat, e ka ofenduar dhe i ka bërë linçim publik atij.

Studime falas nga 1 tetori, Hoxha (ORCA): Premtimi i Qeverisë më shumë  sipërfaqësor se sa thelbësor
Dibran Hoxha nga organizata ORCA 

Madje, Jasharaj thotë se është akuzuar se është “hajn” dhe “milioner”.

Siç thotë ai, këto akuza janë bërë për ta degraduar personalitetin e tij dhe ta zbeh “respektin e besimin që kam , jo vetëm të mijëra punëtorë të arsimit, por edhe të shumë qytetarë të tjerë kudo në Kosovë”.

Ndaj, Jasharaj përmes një letre publike, pohon se “unë nuk jam hajn as milioner”.

Ndër të tjera, deklaron se ka shtëpi modeste në Pejë dhe se ka makinë të thjeshtë që sipas tij, ia ka blerë vajzës dhuratë me kredi, dhe për këtë thotë se banka ka dokumente.

Madje, shton se në bankë ka kursimet që mbulojnë shpenzimet për varrimin e tij.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

“Për ta riparuar kulmin e shtëpisë u detyrova të tërheq atë 10 % nga Trusti dhe në bankë mundohem të ruaj pa harxhuar shumën sa kushton një varrim sepse jam në moshë dhe shëndetin nuk e kam si duhet. Pasuria ime më e madhja janë familja ime, nderi, krenaria që jam kryetar i SBASHK-ut dhe respekti i punëtorëve të arsimit dhe qytetarëve tjerë”.

“Duke mbrojtur punëtorët e arsimit nga fyerjet dhe duke u angazhuar me mish e shpirt për të prezantuar kudo zërin e tyre jam fyer edhe për dhëmbët, edhe për pamjen. Jam quajtur edhe debil e kryedebil, ORCA më tha se jam edhe analfabet, por nuk kam reaguar”.

“Mirëpo shpifjet dhe gënjeshtrat e Dibranit të ORCA-s dhe thirrja publike që kundër meje të bëhen protesta , që të shkarkohem dhunshëm dhe që të formohen sindikal të tjera e kanë mbushur kupën”.

“Dibran Hoxha dhe ORCA argumentojeni deri nesër se jam hajn dhe milionerë ose do të shihni se kush jam unë vërtetë. Do të shihemi në gjykatë o shpifës , o njerëz pa as një vlerë njerëzore”.

Vërejtje Jasharaj ka edhe për drejtuesin e emisionit, i cili sipas tij, është dashur të reagojë.

“Në fund një vërejtje edhe për udhëheqësin e emisionit. I nderuar , unë kam qasje shumë korrekte ndaj mediave dhe vlerësoj lartë angazhimin tyre”.

“Ti është dashur të reagosh që të mos fyhen e ofendohen njerëzit që nuk janë në studio. Është dashur të insistosh që Dibrani në laptopin tënd të gjej ato dokumente për mua dhe nuk do i gjente dot se nuk ekzistojnë”./SHQIP.com