Lajme

Reagon profesori i UP-së: E kam vështirë ta pranoj që Universiteti i Kragujevcit, institucion më i ri dhe më i vogël se UP-ja të rangohet më lartë

Kampusi i Universitetit të Prishtinës
Kampusi i Universitetit të Prishtinës

Pas publikimit të rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë nga Cybermetrics Lab, ka reaguar profesori i Universitetit të Prishtinës, Blerim Rexha.

Blerim Rexha i cili është edhe kryetar i Agjencisë së Akreditimit, shprehet se gjendja ndryshon kur UP-ja krahasohet me institucionet simotra të vendeve fqinje.

“Kështu shihet qartë se të gjitha universitet e kryeqyteteve të rajonit janë para UP-së, përveç Universitetit të Tiranës, që është mbrapa me 864 vende! Këto kryeqytete kanë një traditë universitare më të gjatë se Prishtina, por po e kam vështirë ta pranoj që Universiteti i Kragujevcit, institucion më i ri dhe më i vogël se UP-ja, edhe me studentë edhe me buxhet, të jetë 1189 vende para UP-së!”, ka shkruar Rexha në Facebook.

Blerim Rexha

Për rangimin jo të mirë të UP-së, Rexha thotë se përgjegjësi kanë edhe profesorët e këtij universiteti “me mosangazhimin tonë si dhe menaxhmenti i UP-së për mosimplementim e të gjitha masave për sigurimin e cilësisë”.

“Rankimi i Webometrikës së Universiteteve Botërore” është një iniciativë e Cybermetrics Lab, një grup kërkimor që i përket Consejo Superior de Investigaciones Científicas (CSIC), organi më i madh i kërkimit publik në Spanjë./Shqip.com