Lajme

Reagon Petkoviq pasi Kurti tha se Beogradi duhet të ndryshojë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Petar Petkoviq, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, pasi që ky i fundit ka thënë se Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu të përfundojë me marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.

Petkoviq ka numëruar ditët, për atë që ai e quan si moszbatim të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“Sot bëhen 3322 ditë që kur Prishtina nuk e formoi Asociacionin e Komunave Serbe dhe as nuk zbatoi marrëveshje të tjera të shumta në fushën e energjetikës”, ka thënë ai.

Petkoviq ka deklaruar se Beogradi ka qëndrimin e tij parimor, që nënkupton kërkimin e kompromisit në dialog, si i vetmi mekanizëm për zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë.

“Kështu që Kurti nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e Beogradit zyrtar me retorikën e tij shantazhuese, të udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq që në mënyrë të palëkundur përpiqet të sigurojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë fushë”, ka thënë Petkoviq.

Kryenegociatori serb ka përmendur edhe vizitën e Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas tij shtirja e kësaj vizite është e pakët.

“Kuptohet që shtrirja e vizitës së Kurtit në SHBA është e pakët, ndaj sipas recetës së tij të sprovuar, ai sheh fajtorët në detyrë dhe targeton sa herë që situata politike në Kosovë nuk e ndihmon”, ka thënë ai.

Petkoviq gjithashtu ka deklaruar se në vend të shantazheve dhe urimeve si “njohja reciproke”, do të ishte më mirë që Kurti t’i kthejë fjalët si mirëkuptim reciprok, kompromis, dialog dhe respektim i marrëveshjeve në fjalorin politik dhe agjendën politike, sepse kjo është mënyra e vetme dhe e sigurt për normalizimin e situatës në Kosovë./Shqip.com