Lajme

Reagon Parlamenti Studentor i UP-së: Nagavci na tha se paraqitja e provimeve do të jetë falas deri në tri herë

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka reaguar pasi Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” njoftoi se ka marrë konfirmimin nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që është hequr pagesa për të gjithë studentët për paraqitjen e provimeve.

Sipas Parlamentit Studentor, në takimin e realizuar të hënën me ministren Arbërie Nagavci, kjo e fundit u ka konfirmuar se pagesat do të largohen vetëm në tre paraqitjet e para të një provimi, ndërkaq në herën e katërt do të paguhet.

“Parlamenti Studentor e kupton që kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe në asnjë mënyrë apo tjetrën nuk është në natyrën tonë që të keqinformojmë studentët, prandaj njoftimet dashakeqe të një grupi studentësh, se ne po dezinformojmë, janë tërësisht të pabaza dhe qëllimkeqe”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Në reagimin e tyre kanë thënë se janë në pritje të publikimit të një njoftimi zyrtar nga MASHTI.

Nga Parlamenti Studentor kanë hedhur dyshime se Lëvizja SKV është e afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Është e çuditshme se si një grup i studentëve kanë konfirmime nga MASHTI, apo edhe ndoshta marrëdhënia e palëve është shumë e afërt dhe kalon vijat institucionale”.

“Në qoftë se neve na ka dezinformuar dhe keqinformuar Ministrja Nagavci, atëherë edhe ne i kemi përcjellur të njëjtat informata tek studentët!”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga 1 tetori i këtij viti, studimet në nivelin Bachellor dhe atë Master në Universitetet Publike të mund të realizohen pa paguar asnjë taksë./SHQIP.com