Lajme

Opozita e mirëpret vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Zyrtarët Publikë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese shpalli Aktgjykimin për Ligjin për Zyrtarët Publik, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë nga deputetët e kësaj partie dhe ata të PDK-së.

Gashi ka thënë se me Aktgjykimin e Kushtetueses “lufta e pushtetit për pushtet pa kufi sot e mori edhe një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese”.

“Sot, fitoi ligjshmëria, fitoi kushtetutshmëria. Humbi mundësia e kapjes së radhës, humbi beteja kundër zyrtarëve publikë. Humbi mendësia shkatërruese – antikushtetuese.

Gjykata e rrëzoi Ligjin për Zyrtarët Publikë: Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës ka vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me dy paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Gashi.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për zyrtarët publik.

Tahiri ka thënë se sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetutshmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publikë është antikushtetues, është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karrierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetutshmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Tahiri.

/Shqip.com