Lajme

Reagon Mustafa: Ajo që tha Bislimi për Asociacionin, e pavërtetë e kulluar

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se çdo fjalë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi mbrëmë rreth marrëveshjes për parimit e Asociacionit të nënshkruar në vitin 2015, ishte “një pavërtetë e kulluar”.

Mustafa shkroi në Facebook se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe “me të cilin është pajtuar z. Bislimi promovon Autonominë politike dhe territoriale të serbëve në Kosovë”. Ky tash, sipas tij, “nuk konsiston në asnjë formë me Marrëveshjen e vitit 2013, vetëm thirret në mënyrë abuzive në te”.

“Prandaj edhe nuk mund të jetë Statut i Asociacionit por është Statut mbi Autonominë!? Është diçka krejtësisht e re, që nuk mund të mbështillet me marrëveshjet e mëparshme. Janë të çoroditura edhe pikëpamjet e Bislimit mbi mënyrën sesi do ti përcillet ky statut në shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo nuk është mentore e Qeverisë dhe recenzente e vendimeve të saj, por ajo shqyrton se a është një akt juridik i qeverisë në harmoni me Kushtetutën; jo një akt i hartuar nga jashtë qeveria. Në këtë rast qeveria nuk mund ta luajë rolin e postierit por të vendimmarrësit”, shkroi Mustafa.

Ish-kryeministri tha se Bislimi “bëri fushatë të ulët politike”.

“Opozitën e quajti bashkëpunëtore të Serbisë, dhe për ta larë veten dhe qeverinë Kurti nga papërgjegjësitë për marrëveshjen e fundit me Serbinë, u mor edhe me mua. Nuk ndjej ndonjë kënaqësie kur njerëzit që nuk i konsideroj merren me mua, sepse si kundërshtar politik do duhej të merreshin me opozitën, pasi unë nuk po shfaqi pretendime t’ua marr pushtetin. Por dëshiroj të theksoj se çdo gjë që e tha mbrëmë në kontekst të dokumentit të vitit 2015 ishte një pavërtetë e kulluar, për fat të keq e dalë nga goja e një zëvendëskryeministri të Republikës së Kosovës dhe profesor i Kolegjit Amerikan në Prishtinë”, shkroi Mustafa.

/Shqip.com