Lajme

Reagon Ministria e Bujqësisë: Programi i subvencioneve u hartua në bazë të ligjit

Protesta e fermerëve para Ministrisë së Bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj protestës së fermerëve duke thënë se programin e subvencioneve e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural si dhe Udhëzimin Administratik për Pagesa Direkte për vitin 2021, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Fermerët protestojnë me traktorë para Ministrisë së Bujqësisë

Sipas njoftimit të Ministrisë, për këtë ligj janë kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale edhe me publikun.

“Duhet theksuar se MBPZhR-ja, Programin e Pagesave Direkte -Subvencioneve për vitin 2021  e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, Ministria thotë se gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte-Subvencioneve për vitin 2021, janë përfshirë grupet punuese dhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë.

“Gjatë këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programet dhe politikat bujqësore i ka adresuar vërejtjet dhe mangësitë e gjetura në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe po ashtu gjatë hartimit të tyre janë marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara nga zhvillimet që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, mangësi këto që janë shfaqur edhe gjatë viteve të kaluara”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, paraditen e së enjtes, fermerët kanë zhvilluar një protestë me rreth 200 traktorë para Ministrisë së Bujqësisë pasi që ishin të pakënaqur me kriteret për subvencionim të grurit.

Sipas tyre, kriteret për subvencionim janë absurd, duke thënë se forma se si janë vendosur “do të bëjë që mbi 80 për qind e bujqve të mbesin pa të drejtë aplikimi dhe s’do të fitojnë asgjë nga shteti”./Shqip.com