Reagon kompania “Besa Trans”: Nuk kemi kontrabanduar benzinë, naftë apo fishekzjarre
“Autobusi në asnjë mënyrë nuk ka pasur bagazh për kontrabandë me benzinë, naftë apo mjete piroteknike”.
Kështu kanë deklaruar nga kompania ‘Besa Trans’, pas raportimeve se në bagazhin e këtij autobusi ka pasur kontrabandë me benzinë, naftë apo mjete piroteknike, shkruan Shqip.com.
Kompania i ka hedhur poshtë spekulimet që qarkullonin në rrjet ndërsa thonë se “shërbejnë për qëllime keqdashëse duke u munduar që palë të caktuara të shfrytëzojnë nga tragjedia e ndodhur”.
“Si agjenci njoftojmë të gjithë opinionin, familjarët e të të ndjerëve dhe të lënduarve nga rasti tragjik, se autobusi në asnjë mënyrë nuk ka pasur bagazh për kontrabandë me benzinë, naftë apo mjete piroteknike, të gjitha këto spekulime shërbejnë për qëllime keqdashëse duke u munduar që palët e caktuara të shfrytëzojnë nga tragjedia e ndodhur”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.
Më tutje, kjo kompani thotë se kapaciteti maksimal ka qenë 500 litra naftë për shfrytëzim të vetë autobusit, duke theksuar se nuk ka pasur rezervuar rezervë për qëllime kontrabanduese.

“Kapaciteti total i autobusit ka qenë 450-500 litra naftë për shfrytëzim të vetë autobusit, dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur rezervuar rezervë për qëllime kontrabanduese”, përfundon reagimi.
Gjatë ditës së sotme, nënkryetarja e Shkupit nga partia Aleanca për Shqiptarët, Bujare Abazi kishte thënë se sipas informacioneve të para qoftë nga institucionet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare, janë dyshimet se në autobusin e “Besa Trans” po kontrabandohej naftë dhe mjete piroteknike.
Abazi për T7 tha se kjo flet për një sistem të korruptuar dhe që ka bërë lëshime.
“Kemi një autobusi pa licencë. Kemi një autobus që ka kaluar në doganë pa u kontrolluar nga asnjëri, pastaj ka kontrabanduar, siç ishin informatat e para, karburant dhe fishekzjarrë. Kjo flet se ne faktikisht kemi një sistem të korruptuar që në vazhdimësi ka bërë lëshime”, ka thënë ajo./Shqip.com