Lajme

Reagon KGJK-ja: Deklaratat e Haxhiut nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve

Këshilli Gjyqësor i Kosovë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila të mërkurën deklaroi se “nuk mund ta mbështesë nëse ky institucion mbyll sytë përballë skandaleve siç ishte ai i audio-incizimeve” të publikuara nga Shqip.com.

Në reagimin e tyre, KGJK-ja ka shprehur pakënaqësi duke thënë se, “si institucion i pavarur, është duke i përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore”.

Sipas tyre, reagimet dhe deklarata e Ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse “përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale”.

“Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill”, thuhet në reagim.

Ndaj, Këshilli Gjyqësor, “i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe i bën thirrje Ministres së Drejtësisë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit”./SHQIP.com