Lajme

Reagon Fakulteti i Filozofisë për Kodin Civil të Kosovës: Homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor

Fakulteti Filozofik - UP

Fakulteti Filozofik në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar qëndrimet e tri departamenteve lidhur me Draft Kodin Civil të Republikës së Kosovës.

Në këtë deklaratë thuhet se departamenti i Psikologjisë, Departamenti i Punës Sociale dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore të Fakultetit Filozofik kanë qenë të përkushtuar në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për promovimin e shkencës dhe përdorimin e provave shkencore në mbështetje të informimit të drejtë, avancimit të njohurive dhe formimit të vlerave të mira qytetare.

“Homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor. Asociacioni Amerikan i Psikologëve e ka larguar homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore që nga viti 1973 (Conger, 1975). Nga ana tjetër, provat shkencore dëshmojnë, se paragjykimet, stigma sociale, diskriminimi dhe dhuna e nxitur nga homofobia dhe transfobia ndikojnë në mirëqenien psikologjike, fizike, sociale, ekonomike të personave LGBTIQ+ (shembull: Badgett, 2001, Cochran dhe të tjerët, 2003)”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Flamuri i LGBTIQ+

Nga Fakulteti i Filozofik kanë inkurajuar ligjvënësit dhe hartuesit e politikave nacionale të mbështesin zhvillimin e bazës ligjore dhe politikave publike, që janë në harmoni me të drejtat e njeriut, japin mundësi të barabarta dhe promovojnë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Gjithashtu, shprehim gatishmërinë që të mbështesim procese të shqyrtimit të përshtatshmërisë së bazës ligjore dhe të politikave për parandalimin e urrejtjes, paragjykimeve dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+ dhe grupeve tjera të margjinalizuara në shoqëri”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë./Shqip.com