Reagon “Endeta Dental Clinic” pas denoncimit të pacientit italian: Pretendimet janë të pavërteta
Disa ditë më parë, një pacient italian denoncoi në redaksinë e Shqip.com atë që ai e cilësonte si mjekim të gabuar gjatë një ndërhyrjeje në dhëmballë, të kryer në klinikën Endeta Dental Clinic në Tiranë. Pacienti pretendoi se kishte paguar rreth 8 mijë euro për trajtimin dhe se pas ndërhyrjes i ishte lënë në nofull një pjesë metalike. Po sipas tij, klinika në fjalë i kishte kërkuar edhe 2 mijë euro të tjera, për të korrigjuar gabimin.
Pas publikimit të këtij lajmi, klinika ENDETA Dental Clinic & Laborator, me përfaqësues ligjor Dr. Farudin Tarja, ka reaguar duke i cilësuar pretendimet të pabaza dhe thekson se ato kanë dëmtuar imazhin profesional të subjektit, i cili është një markë e regjistruar dhe e licencuar për ofrimin e shërbimeve stomatologjike.

Sipas dokumentacionit klinik të paraqitur nga ENDETA, që përfshin kartelën mjekësore, radiografitë diagnostike dhe protokollet e trajtimit, elementi i shfaqur në radiografi nuk është vidë e thyer apo fragment metalik i mbetur në kockë. Klinika sqaron se bëhet fjalë për një komponent protetik standard të sistemit implantologjik, të njohur si “MUA Cap” (Multi Unit Abutment Cap), i cili përdoret për stabilizimin e strukturës protetike mbi implantet.


Klinika thekson se pacienti ka qenë i informuar për planin e trajtimit, procedurat dhe komponentët e përdorur, ndërsa i është ofruar edhe mundësia për kontroll klinik, verifikim radiologjik dhe konsultim me ekspertë të pavarur.
Për transparencë të plotë, ENDETA bën të ditur se ka kërkuar gjithashtu ekspertizë profesionale dhe konsultim ndërkombëtar me specialistë të implantologjisë.
Në reagim theksohet se klinika disponon sigurim për përgjegjësi profesionale mjekësore dhe, në rast se do të konstatohej një gabim profesional, është e gatshme të korrigjojë trajtimin dhe të mbulojë çdo dëm sipas kontratës dhe ligjit.

ENDETA Dental Clinic shprehet se publikimi i pretendimeve të pavërteta në media dhe rrjete sociale cenon reputacionin e saj dhe krijon perceptim të gabuar tek pacientët, ndërsa thekson se mbetet e hapur për çdo verifikim profesional dhe ekspertizë të pavarur për sqarimin e plotë të situatës.
Pretendimet e klinikës Endeta Dental Clinic:
DOSJE PROVASH
Për pretendime të pavërteta dhe prishje të imazhit të klinikës
Subjekti:
ENDETA Dental Clinic & Laborator
Rruga e Arbrit, Kodër Kamëz – Tiranë
Përfaqësues ligjor:
Dr. Farudin Tarja
- Objekti i dosjes
Kjo dosje përmban provat dhe dokumentacionin që lidhet me pretendimet e bëra publikisht nga pacienti Peppino Zappulla, të cilat rezultojnë të pabazuara dhe që kanë sjellë dëmtim të imazhit profesional të klinikës ENDETA Dental Clinic, një markë e regjistruar dhe subjekt i licencuar për ofrimin e shërbimeve stomatologjike.
- Dokumentacioni klinik
Në dosje përfshihen:
• Kartela mjekësore e pacientit
• Radiografitë diagnostike
• Dokumentacioni i trajtimit të kryer
• Protokollet klinike të ndërhyrjes implantologjike
• Dokumentacioni protetik
Nga analiza e radiografive rezulton se elementi i paraqitur nga pacienti nuk përbën një vidë të thyer apo fragment metalik të mbetur në kockë, por është:
komponent protetik i tipit “MUA Cap” (Multi Unit Abutment Cap)
Ky komponent është pjesë standarde e sistemit implantologjik dhe përdoret për stabilizimin e strukturës protetike mbi implantet.
- Sqarimi teknik
Në radiografi paraqitet qartë:
• Multi Unit Abutment
• Kapaku mbrojtës (MUA Cap)
Ky komponent:
• nuk është trup i huaj
• nuk është vidë e thyer
• nuk është fragment i mbetur në kockë
por pjesë funksionale e sistemit protetik implantologjik.
- Komunikimi me pacientin
Pacienti është informuar në mënyrë të plotë për:
• planin e trajtimit
• procedurat e kryera
• komponentët e përdorur
Gjithashtu i është ofruar mundësia për:
• kontroll klinik
• verifikim radiologjik
• konsultim me ekspert të pavarur
- Kërkesë për ekspertizë
Për transparencë të plotë, klinika ENDETA Dental Clinic ka kërkuar:
• ekspertizë profesionale
• konsultim ndërkombëtar me specialistë të implantologjisë.
- Sigurimi profesional
Klinika disponon:
• sigurim për përgjegjësi profesionale mjekësore
Në rast se do të kishte gabim profesional, klinika është e detyruar dhe e gatshme të:
• korrigjojë trajtimin
• mbulojë dëmin sipas kontratës dhe ligjit.
- Dëmtimi i imazhit
Publikimi i pretendimeve të pavërteta në rrjete sociale dhe media:
• cenon reputacionin profesional të klinikës
• dëmton markën ENDETA Dental Clinic
• krijon perceptim të rremë tek pacientët.
- Qëndrimi i klinikës
Klinika ENDETA Dental Clinic mbetet e hapur dhe në dispozicion për:
• çdo verifikim profesional
• çdo ekspertizë të pavarur
• çdo procedurë institucionale
me qëllim sqarimin objektiv të situates
Me respekt Endeta Dental Clinic
/Shqip.com