Lajme

Reagon edhe zëdhënësi i Qeverisë: Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Rreth ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, përmes rrjetit Facebook, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka shkruar se zgjedhjet janë obligim kushtetues i institucioneve dhe se bandat kriminale nuk mund ta pengojnë mbajtjen e tyre.

“Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre.

Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, aktet e dhunës duhet të dënohen njëzëri dhe se janë në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë.

Kujtojmë, se ditën e djeshme disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.

Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.

/Shqip.com