Reagon djali i kryeprokurorit të Gjakovës: Nëse babai im do ishte ashtu siç raportojnë mediat unë nuk do prisja vizë për jashtë vendit

Djali i kryeprokurorit të Gjakovës Ramiz Buzhalës, Mentor Buzhala ka reaguar në lidhje me publikimet e bëra për babain e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Buzhala ka thënë se nëse babai i tij do ishte siç është raportuar në media ai do të ishte i punësuar në sistemin e drejtësisë.
“Të kish me qenë person qysh po pretendojnë mediet tona, që është person që ndikon në konkurse dhe favorizon persona të caktuar, une sot do të isha i kyqur lartë në Sistemin e Drejtesisë, po sa për informat, përkunder tentimeve me u kyq në Sistem (me meritokraci) nuk kam arritë”, shkroi djali I kryeprokurorit të Gjakovës.
Sipas, Buzhalës nga pamundësi për tu punësuar me meritokraci ai është duke pritur vizën që të dal jashtë vendit edhe pse posedon diplomë.
“Dhe prej deshprimi sot pres vize për punë dhe studime për jashtë vendit edhe pse jam me kualifikim Superior – Jurist i Diplomuar, që nga viti 2017, ata qe më njohin e dijnë që është e vertetë”.
Me anë të këtij postimi, Buzhala e ka cilësuar babain e tij si të pafajshëm për kundër raportimeve në media.

Kryeprokurori Buzhala kur i shpërndau pyetjet i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.
Siç raporton Kallo.com, ai këto pyetje ia ka dërguar gazetares së tyre, Adelina Ahmeti duke shkruar “këto janë pyetjet e testit me shkrim”.
Pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së sotme brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.
Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i k, ai nis arsyetimin se kanë qenë të dërguara gabimisht.
“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala.
Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.
Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.
Lexo edhe:
Detaje se si Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë
SHQIP.com ka kontaktuar me gazetaren, Ahmeti, e cila tha se këto pyetje janë adresuar gabimisht dhe ata kanë pasur komunikim edhe me parë.
“Normalisht që kamë pasur kontakte edhe më herët për shkak të ngjarjeve që ndodhin në Gjakovë. Informacionet që nuk kemi mundur më i marrë nga zyra e mediave, ju kemi qasur direkt kryeprokurorit në lidhje me rastet e ndryshme që ndodhin, normalisht që bien në kompetence të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, ka thënë ajo.
Ajo tha se deri më tani nuk ka marrë ndonjë kërcenim, apo kërkesë që të largohet artikulli i publikuar.
Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala dyshohet se ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional.
Lidhur me këtë, përmes një njoftimi për media nga zyra e prokurorit të shtetit thuhet se ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi, do të ndërmarrë veprime ligjore.
Lexo edhe:
Për rastin ka reaguar dhe ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu tha se publikimi i sotëm ku dëshmohet që Buzhala ka dërguar gabimisht pyetjet për bashkëpunëtor profesional është arsyeje e mjaftueshme për të ndërmarre masa ligjore./Shqip.com