Lajme

Reagon Bislimi: Hapja e arkivave është e domosdoshme, nga kjo marrëveshje përfiton Kosova

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj atyre që e kanë kritikuar për deklaratën e tij se Kosova është pajtuar me palën serbe në Bruksel për hapjen e arkivave shtetërore.

Sipas tij, kjo deklaratë është shtrembëruar, ndërsa ka thënë se hapja e arkivave është e domosdoshme “nëse pala serbe dëshiron të dëshmojë konstruktivitetin e saj në proces”.

Lexo edhe:
Klinaku – Bislimit për hapjen e arkivave: Është njëjtë sikur të pajtohesh se “Kosova është krahinë e Serbisë”

Ka thënë se nga kjo marrëveshje Kosova është përfituese, në rast se respektohet nga ana e Serbisë.

“Të gjitha dokumentet rreth UÇK dhe aktivitetit të saj janë pjesë e arkivit shtetëror të Kosovës. Ato kanë qenë dhe vazhdojë të jenë të hapura, janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen si nga vendorët ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshi këtu gjykatat vendore e ndërkombëtare por edhe UNMIK apo EULEX. Janë pjesë e rëndësishme e dokumentarëve dhe librave të prodhuara gjeri më tani”, thuhet në reagimin e Bislimit të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Ai më tej ka shtuar se në arkivat e UÇK-së s’ka asgjë të fshehtë apo të falsifikuar.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri mbrojtëse dhe jo agresore dhe askush nuk e ka kontestuar apo konteston pastërtinë e luftës së saj. Andaj është më se e logjikshme që edhe udhëheqës si z. Lajcak kanë mundur dhe vazhdojnë të kenë mundësi për qasje të plotë në këtë segment të arkivës shtetërore të Kosovës”.

“Në këtë kontekst, e vetmja palë që përfiton nga dakordimi i arritur në Bruksel (në rast se respektohet nga Serbia dhe për këtë mund të diskutojmë gjithsesi), është pala kosovare, e cila fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur. Përfundimit të ankthit të familjeve të këtyre personave do të duhej t’i gëzohemi të gjithë, e jo të tmerrohemi nga suksesi eventual i ekipit tonë të dialogut”, ka shkruar tutje Bislimi.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës se ky dakordim e ndryshon narrativen e fajtorëve, Bislimi ka thënë se ata “kanë rënë në atë kurth me qëndrimet e tyre të deritanishme”.

Ndryshe, të enjten, kryenegociatori i delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me UÇK-në.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka kritikuar Qeverinë se “po e barazon UÇK-në me Serbinë”. Ndërsa, drejtues të Arkivit kanë mohuar se brenda institucionit shtetëror ka dokumente sekrete rreth UÇK-së./SHQIP.com