Lajme

Reagon BE-ja, u bën thirrje serbëve të kthehen në institucione

Kryediplomati Josep Borell

Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Kështu u bë e ditur nga reagimi i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ai i bënë thirrje përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë, që të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme. Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thotë Borell.

Tutje ai thekson se  serbët duhet të kthehen në institucionet sepse duhet të përmbushin detyrat e tyre, për çka edhe janë votuar.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thotë Borell.

Kurse sa i përket vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ai e përsëritë thirrjen se çështja e targave duhet të zgjidhet në dialog dhe se vendimi duhet të pezullohet.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, thotë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

Për fund, Borell thekson se Kosova duhet të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sepse është obligim ligjor për shtetin e Kosovës.

Ndërsa dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim po shihet nga zyrtarët evropian si cenim i parimit të sundimit të ligjit dhe po e dëmton reputacionin e kredibilitetin e vendit.

/Shqip.com