Lajme

Reagon Akademia e Shkencave të Kosovës: Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Në ditën e katër të protestave në veri të vendit dhe tensionimit të situatës atje, ka reaguar sot Akademia e Shkencave të Kosovës, duke shprehur shqetësimin e saj të thellë për situatën e krijuar.

ASHAK gjithashtu shprehet e indinjuar dhe e brengosur për aktet e dhunës në disa qendra urbane në veri të Kosovës, veçmas për sulmet e paprovokuara të bandave kriminele mbi policinë  e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

“Pamjet e dhunës mbi trupat e KFOR-it dhe përgjithësisht të situatës së krijuar në këtë pjesë të Kosovës, janë rezultat i politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq. Ashtu sikundër kemi paralajmëruar edhe më herët, Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagim.

“Akademia Serbe do të duhej të ndalojë të ‘prodhojë ide’ dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike”, thuhet më tej.

Akademia e Shkencave të Kosovës shpreh mirënjohje për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe sakrificë të pashembullt janë duke mbrojtur jo vetëm paqen në këtë pjesë të Evropës, por edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë. Jemi po ashtu thellësisht mirënjohës që NATO së fundi mori vendim të shtojë kontingjentin e vet me 700 trupa të reja në Kosovë, duke treguar përkushtim të paluhatur që agresioni serbo-rus të mos realizojë asnjë nga planet dhe synimet e tij në Kosovë.

Institucionet e Republikës së Kosovës, duke zbatuar detyrimet kushtetuese të një vendi demokratik evropian dhe në miqësi me SHBA-në, është e domosdoshme të përballojnë situatat e rrezikshme në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët, për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të paqes e të sigurisë në rajon”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ASHAK-ut.

/Shqip.com