Lajme Botë

Reagime pas incidentit të avionit luftarak rus me dronin amerikan

Shtetet e Bashkuara rrëzuan mbi Detin e Zi një dron zbulimi MQ-9. Foto: Reuters
Shtetet e Bashkuara rrëzuan mbi Detin e Zi një dron zbulimi MQ-9. Foto: Reuters

Shtetet e Bashkuara rrëzuan mbi Detin e Zi një dron zbulimi MQ-9, pas dëmtimit të tij nga një avion luftarak rus, incidenti i pari i tillë nga fillimi i sulmit të Kremlinit kundër Ukrainës para më shumë se një viti.

Ky është një incident i rrallë, por serioz që shkaktoi një protestë diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe ngriti shqetësime mbi mundësinë që Rusia të përfitojë duke marrë në dorë teknologjinë e ndjeshme.

Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë shprehën pikëpamje të ndryshme, duke akuzuar njëra tjetrën, mbi kontaktin që droni MQ-9 Reaper pati me një avion luftarak rus Su-27.

Incidenti u dënua nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni, që paralajmëruan mbi rrezikun e përshkallëzimit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara thirrën ambasadorin rus.

I dërguari i Moskës në Uashington tha se vendi i tij nuk po kërkon luftë.

Ne nuk duam konfrontime midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse. Ne mbështesim marrëdhëniet pragmatike për hir të interesave të popullit amerikan dhe atij rus”, tha ambasadori Antonov.

Lexo edhe:
Avioni rus përplaset me dronin amerikan mbi Detin e Zi

Ndërsa ky ishte reagimi i Pentagonit pas incidentit:

Ne pamë avionin luftarak rus duke hedhur karburant para dronit dhe më pas iu afrua aq shumë, saqë dëmtoi helikën e tij. Sipas vlerësimit tonë edhe avioni rus ka pësuar dëme. Me sa dimë, avioni rus është ulur në tokë. Nuk do ta them vendin se ku. Por ky është një demonstrim i joprofesionalizmit dhe pasigurisë së këtyre pilotëve”, tha Gjenerali Pat Ryder, zëdhënës i Pentagonit.

Ushtria amerikane u detyrua ta rrëzonte dronin përgjues për shkak të dëmeve që pësoi nga përplasja me avionin rus, tha Pentagoni.

Duket sikur një pilot rus po përpiqej që qëllimisht ta shkatërronte dronin amerikan mbi Detin e Zi. Ky është një provokim. Mbase është një test. Rusëve, sigurisht, nuk u pëlqen fakti që ne po fluturojmë në ujërat ndërkombëtare atje dhe ata po shprehin pakënaqësinë e tyre”, thotë eksperti i sigurisë Tom Karoko nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Incidenti shënon herën e parë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, që një mjet fluturues amerikan rrëzohet si pasojë e përplasjes me një avion luftarak rus.

Kjo ndodh në një periudhë tensionesh midis Uashingtonit dhe Moskës, rreth sulmit rus kundër Ukrainës.

Deti i Zi shtrihet midis Evropës dhe Azisë. Ukraina është në mesin e vendeve me të cilat kufizohet.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se droni ishte zbuluar pranë gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi nga Ukraina më 2014.

Rëndësi ka qëndrueshmëria dhe qartësia me të cilën Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, duke e bërë të qartë se ne nuk duam që dobësia apo pavendosmëria jonë të perceptohet nga rusët si një inkurajim për të provuar diçka tjetër”, thotë eksperti Karoko.

Frocat ajrore amerikane thanë se droni po kryente një mision “zbulimi dhe mbikëqyrjeje”. Pentagoni vuri në dukje se dronët e tipit MQ-9 mund të mbajnë armë, por nuk tha nëse droni që u rrëzua ishte i pajisur me një të tillë.

Një dron i njëjtë me atë që u rrëzua mund të përdoret për të grumbulluar të dhëna zbulimi mbi luftën në Ukrainë – një nga kontributet më të mëdha të Perëndimit për Kievin, në përpjekjet e tij për të zmbrapsur forcat pushtuese ruse.

Pentagoni nuk tha nëse do të përpiqej të gjente mbetjet e dronit, por theksoi se deri tani Rusia nuk e ka bërë një gjë të tillë. /VOA

/Shqip.com