Lajme

Rasti i parë i aksidentit ujor në Shqipëri, i mbijetuari ende në spital dhe me dhimbje

Agustin Sefa, është 31-vjeçari i cili po pushonte në jug të vendit me të fejuarën e tij, i cili i shpëtoi vdekjes pasi u godit nga një skaf buzë bregut të detit.

Siç raporton TCh, Sefa prej datës 16 korrik  vijon të marrë trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë sepse ka dëmtime të  rënda.

Ai është fatlum që  i ka mbijetuar aksidentit përgjatë  pushimeve, por që  në  një  intervistë  ekskluzive për Top Channel tregon tmerrin e përjetuar nga dhimbjet e plagëve të rënda.

 “Unë  kam qenë  në  gjendje kome, nuk mbaj mend asgjë , kam gati 10 ditë  në  gjendje kome edhe tani kam ardhur në  vete. Por kam shumë  dhimbje e tani do vijë  ajo(mjekja) të  më  bëjë  qetësues”, tha Agustini.

Gjendja e tij shëndetësore është  përmirësuar operacion pas operacioni, por që sërish për shkak të një pakujdesie jo nga ana e tij, organet e brendshme i ka të  dëmtuara duke i pamundësuar ecjen.

Ndërsa, për të dashuren e tij thotë se ajo është më mirë dhe ka dal nga spitali.

“Ajo është  pak më  mirë , ka dalë  nga spitali. Ndërsa unë  kam gati 16 ditë  jam dëmtuar në  bark dhe në  këmbë”, tha ai.

Pranë  shtratit i qëndron gjatë gjithë  kohës e ëma, e cila përveç vështirësive ekonomike po vuan bashkë me dhimbjet e të birit.

 “Unë  kam qenë  në  shtëpi, kur e morëm vesh e përjetuam shumë  keq”, tha e ëma e Agustinit.

Por pavarësisht se ishte ky rasti i parë  i aksidenteve ujore gjatë këtij sezoni veror, nuk rezultoi të ishte i fundit.

Përsëritja e ngjarjes me fund fatal për 7-vjeçaren, ka shqetësuar të riun  i cili më  mirë  se kushdo e ka parë  këtë  tmerr me sytë  e tij.

“Me thënë  të  drejtën kur kam parë  ngjarjen e asaj gocës e kam hequr direkt, nuk e shihja dot. Më  erdhi keq shumë”, u shpreh Agustini.

Agustin Sefa
Lexo edhe:
Polici që aksidentoi për vdekje 7-vjeçaren në Himarë thotë se e humbi kontrollin mbi gomone

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesditës së të martës në plazhin e Potamit ku një fëmijë u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.

Ai mbante detyrën Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe pas kësaj ngjarjeje, është përjashtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Polici Arjan Tase ka dhënë dëshminë e tij para prokurorisë shqiptare për aksidentin me gomone që la të vdekur një fëmijë në Himarë.

Ai ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.

Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë./Shqip.com