Lajme

Rasti i Mujecit, Sveçla: Në VV nuk ka vend për personat që i shkelin ligjet

Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla
Shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla

Gëzim Sveçla, kryetar i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka deklaruar se me përjashtimin  e Besnik Mujecit nga të gjitha funksionet e partisë kanë vendosur një standard të ri në politikbërje.

Ai tha se në VV nuk ka vend për personat që i shkelin ligjet.

“Në organizatën tonë nuk ka vend për njerëzit që shkelin normat ligjore, njerëzore dhe frymën e Lëvizjes. Dje është mbajtur një mbledhje urgjente dhe unanimisht është vendosur që Mujeci të përjashtohet nga anëtarësia dhe nga strukturat e partisë. Ky është një standard i ri në politkbërje që ka të bëjë me pastërtinë e figurave dhe zyrtarëve ku është marrë vendim për herë të parë që një individ të përjashtohet pa iu bërë gjyqit, për shkak se rasti ka qenë në flagrancë dhe s’ka pasur tjetër rrugë përveç largimit”, tha ai.

Sveçla tha se Mujeci asnjëherë nuk a ka ushtruar detyrën e tij si aksionar në ndërmarrjen publike Stacioni i Autobusëve.

Akuzat e partive PDK dhe LDK i ka quajtur qesharake dhe tendencioze.

“Besnik Mujeci asnjë ditë të vetme nuk e ka ushtruar detyrën e tij si aksionar në ndërmarrjen Stacioni i Autobusëve. Asnjë ditë të vetme Muejci nuk ka qenë aty si aksionar. Për hir të korrektësisë, është tentuar njëherë kur ka hy në fuqi vendimet e asamblesë për emërimin e tij si aksionar. Ne jemi në këtë çështje në kontest administrativ dhe asnjë anëtar i VV-së nuk e ka ushtruar detyrën e tij”, tha ai, raporton Dukagjini.

Mujeci dyshohet se bashkë me katër persona të tjerë kanë tentuar të transportojnë 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.

Mujeci, siç raporton Policia e Shqipërisë, kishte transportuar lëndë narkotike duke i përdorur autobusët në sezonën turistike nga Kosova në Shqipëri.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë.

LVV kanë bërë të ditur se Mujeci është shkarkuar nga të gjitha strukturat e partisë.

/Shqip.com