Lajme

Rastet e politikanëve që janë parashkruar dhe rrezikojnë të parashkruhen në 2023-2026

Kuvendi i Kosovës - Fotografi ilustruese
Kuvendi i Kosovës - Fotografi ilustruese

Lavdim Makshana, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se trajtimi i rasteve të politikanëve të cilët kanë probleme me ligjin nga ana e gjyqësorit, rezulton të jetë joefikas.

Këtë deklarim, ai e bëri gjatë tryezës në Javën kundër Korrupsionit, teksa po prezantonte raportin “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”.

Makshana tha se nga monitorimi sistematik që IKD i bën sistemit të drejtësisë, ka evidentuar trajtim joefikas të rasteve të politikanëve nga gjyqësori dhe mosrespektim të afateve ligjore.

“IKD ka konsideruar se kjo qasje e gjyqësorit krijon një perceptim negativ tek publiku për mungesë të guximit të trajtimit të rasteve të politikanëve nga ana e gjykatave, veçanërisht, nëse rastet e të njëjtëve parashkruhen”, tha ai.

Se rastet e politikanëve nuk po trajtohen me efikasitet, sipas Makshanës e tregon edhe rasti ndaj kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit gjatë vitit 2022 i ishte parashkruar një vepër penale, por që parashkrimi ishte konstatuar tek në vitin 2023. Vepra penale e parashkruar rezulton të jetë “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes sëdetyrave zyrtare”.

Maksha tha se IKD ka gjetur se rastet e politikanëve po përcjellen me zvarritje shumë më të madhe sesa zvarritjet që hasen në rastet e tjera ku janë të përfshirë qytetarë të rëndomtë, e që disa raste për shkak të zvarritjeve kanë arritur parashkrimin absolut.

“Sa i përket parashkrimit të rasteve të politikanëve, IKD gjen se në vitin 2023 është parashkruar një rast gjyqësor, e që është rasti ndaj ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, i cili ishte i akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Lidhur me zvarritjet dhe parashkrimin e këtij rasti, një ndër arsyetimet e gjykatës kishte qenë mungesa e të pandehurve në seanca”, shtoi Makshana.

Ndërsa tha se ishte njoftuar paraprakisht se ky rast do të arrinte parashkrimin. Rast ky që ishte gjykuar nga gjykatësi i Departamentit të Përgjithshëm (DP), Eroll Gashi.

Veç këtyre, Makshana shtoi se janë edhe tetë politikanë, rastet e të cilëve për disa vepra rrezikojnë të parashkruhen në tre vitet e ardhshme. Përfshirë shtatë deputetë, katër prej të cilëve vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dy deputetë vijnë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Veç tjerash, hulumtuesi i IKD-së, theksoi mungesën e llogaridhënies për rastet e parashkruara. Ndërsa, kritikoi Prokurorin e Shtetit për ngritjen e aktakuzave në prag të vjetërsimit të lëndëve.

“Mosveprimi dhe mosreagimi me kohë i Prokurorisë, mund të ketë për pasojë parashkrimin e veprave penale dhe amnistimin e kryerësve të këtyre veprave. Ngritja e aktakuzave në prag të parashkrimit të veprës penale, e kufizon gjykatën që brenda një kohe shumë të shkurtër ta përfundojë rastin e korrupsionit”, tha ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën organizoi tryezën ku u prezantuan raportet me tituj “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit” dhe “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”, raporte këto që janë si rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bën sistemit të drejtësisë.

Këto raporte publikohen në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.

/Shqip.com