Lajme

Rashiq: Rasti i Shtërpcës e ka marrë epilogun gjyqësor (E përditësuar)

Nenad Rashiq, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, ditë më parë u vu në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave lidhur me plagosjen e dy të rinjve në Komunën e Shtërpcës.

Ai, siç ka shkruar “Nova.rs”, i ka thënë të hënën këtij mediumi se nuk e beson versionin e avokatit të pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtajt, i arrestuar për “vrasje në tentativë”.

Sipas avokatit, Kurtaj kishte shtënë në ajër e më pas drejt tokës, pa dashur që të qëllonte në drejtim të dy të plagosurve.

Ndërsa, sot, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, prapë mohoi të ketë thënë se rasti në Shtërpcë ishte tentim vrasje.

“Është mirë kur informacionet po përdoren nga një anën në anën tjetër, por te gazetarët informacioni po përdoret vetëm pjesërisht, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Por jam i gëzuar se policia ka intervenuar me kohë dhe me shpejtësi dhe kjo tash është në organet kompetente, në gjykatë”, ka thënë ai.

“Unë nuk kam komentuar as për procesin kur unë kam qenë i akuzuar, prandaj për hir të respektit ndaj institucioneve nuk kam nevojë të komentoj diçka të tillë”, ka thënë Rashiq.

I pyetur, gjatë debatit, për deklaratat e dhëna për mediat serbe, Rashiq tha se nuk beson të ketë deklaruar atë që u citua në media.

Lexo edhe:
Rashiq: Është keqkuptuar deklarata ime, lidhur me rastin në Shtërpcë

Tutje, ai ka thënë: “Nuk besoj se e kam thënë kështu, e kam thënë edhe më herët, me të vërtetë besoj që nuk është korrekte ta komentoj kur një rast i tillë e ka marrë epilogun gjyqësor”.

Rashiq: Nuk konsideroj se Asociacioni paraqet rrezik për sovranitetin e vendit

Gjithashtu, Nenad Rashiq, tha se themelimi i Asociacionit nuk e vë në rrezik sovranitetin e vendit, pasi marrëveshja parashihet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Ka hapësirë ku konsideroj se ka mundësi të bisedimeve, hapësira është me siguri prej formës politike që është imponuar për Asociacion, deri në formën e kuptimit ose leximit të dokumentit që mund të quhet propozimi, ose analiza në Gjykatën Kushtetuese. E them prapë se nuk shoh kurrfarë rreziku sa i përket sovranitetit, për shkak se në pikën e dytë në marrëveshjen e vitit 2015 shkruan se kjo marrëveshje do të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pra, kjo që thuhet se do të jenë brenda kornizës ligjore, unë nuk e shoh si problem”, ka thene Rashiq.

Në vazhdim, ai shtoi se ka hapësira për ndryshimin e modelit të Asociacionit, njofton Klankosova.tv.

“Unë mund ta kuptoj kryeministrin për mospranimin në formën e tillë, por ka forma dhe hapësira ku mund të propozohet, ku mund të ndryshohet ajo për shembull. Çka do të kisha ndryshuar unë, nuk do ta kisha quajtur Zajednica, e kisha quajtur hajt të themi grupi i komunave për shembull. Unë e di se ekziston një rezistencë shumë vjeçare ndaj Zajednicës dhe te ne në Ballkan nëse ndonjë ide del herët ka kohë që të kritikohet, të bëhet kritikë që ia humbë peshën që e ka pasur në fillim”, tha Rashiq.

Ministri shtoi se me ligjet në fuqi Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, prandaj nuk ka ndonjë peshë.

“Nga aspekti teknik Asociacioni nuk ka peshë, nuk ka kuptim, se ju i keni ato kompetenca të cilat janë aprovuar me ligjet në fuqi, ku i keni kryetarët e komunave. Asociacioni është një organ shtesë që është monitorues, por nuk mund të ndikoj dhe me qenë diçka me ndonjë formë ekzekutive është vetëm duplifikim i organeve, kështu që në legjislacionin në Kosovë nuk ka hapësirë për nivelin e tretë të qeverisjes. Prandaj nga aspekti teknik kjo kërkesë nuk ka kuptim, por është imponuar nga spektri politik”, tha Rashiq.

/Shqip.com