Sport Shqiptar

Rashica dhe Aliti shpresojnë në rezultat pozitiv ndaj Suedisë

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Suedisë

Nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë, Dardanët e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para se të udhëtojnë në Stokholm ku të shtunën me fillim nga ora 18-00 do e kërkojnë fitoren ndaj Suedisë.

Ekipi i udhëhequr nga Bernard Challandes përveç lajmit të mirë që Toni Domgjoni e mori “dritën jeshile” nga FIFA, ata u gëzuan dyherë, pasi sot skuadrës në stërvitje ju bashkua edhe Bersant Celina, shkruan Shqip.com.

Bersant Celina gjatë stëvitjeve së sotme me Përfaqësusen e Kosovës

Në njoftimin e publikuar nga FFK-ja, prononcime para kësaj ndeshje kanë dhënë Milot Rashica dhe Fidan Aliti.

Aliti tha se “Një falenderim i madh shkon për tifozët ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”

Ai gjithashtu e theksoi faktin që kësaj radhe kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme dhe beson se secili prej futbollistëve është 100 përqind i gatshëm për lojë.

Për një rezultat pozitiv ndaj Suedisë po shpreson edhe Milot Rashica i cili ndër të tjera tha se duhet konkretizuar rastet për shënim dhe jo të jenë të pasaktë sikur ndaj Spanjës.

“Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, u shpreh numri shtatë i Dardanëve.

Milot Rashica gjatë stëvitjeve së sotme me Përfaqësusen e Kosovës

Momentalisht, Kosova gjendet në pozitën e katërt të Grupit B me katër pikë pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.

Lider i Grupit është Spanja, ndërsa Suedia gjendet në vendin dytë me katër pikë./Shqip.com