Sport Ndërkombëtar

Rashford humb fillimin e sezonit shkaku i operimit

Momenti kur Marcus Rashford lëndoi shpatullën

Sulmuesi anglez, Marcus Rashford nuk do të mund të luaj ndeshjet e para të Premier League për shkak të një operimi që do t’i nënshtrohet, shkruan Shqip.com.

Rashford ishte duke luajtur me dhimbje gjatë dy viteve të fundit, derisa ishte duke luftuar me një këputje të muskulit në shpatull që nga nëntori.

Pas bisedave mes Solskjaer dhe sulmuesit, është vendosur që më e mira për të, do të ishte nëse ai do të operohej.

Manchester United konfirmoi vendimin e marrë përmes një komunikate të lëshuar gjatë së premtes.

“Pas konsultimit midis Marcus, menaxherit, stafit mjekësor të klubit dhe specialistëve, Marcus do t’i nënshtrohet një operacioni të menjëhershëm për të zgjidhur dëmtimin e shpatullës”.

“Ai tani do të përqendrohet në rehabilitimin e tij në mënyrë që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga klubi.

Ai duhej të paraqitej për stërvitjet para-sezonale të hënën, pasi kishte tre javë pushim për shkak të përfshirjes së tij me Anglinë në “EURO 2020” këtë verë.

Por, pasi t’i nënshtrohet këtij operacioni, sulmuesi anglez pritet të jetë jashtë fushave për disa jave./Shqip.com