Lajme

Raportohet se një automjet me dinarë u ndalua në Jarinjë

Mediat serbe raportuan se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci tha se në këtë pikëkalim kufitar u paraqitën disa persona si përfaqësues të “Komercijalna Banka” e cila është mbyllur.

“Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendojnë se përfaqësojnë Komercijalna Banka, e cila tashmë është mbyllur”, tha Stavileci.

Sipas tij, “këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme”.

“Të njëjtit janë udhëzuar që t’i ndjekin njoftimet e BQK-së derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjor”, tha Stavileci.

Disa media serbe raportuan se në Jarinjë “është ndaluar sërish transportimi i dinarëve” dhe se zyrtarë të bankës serbe dhe të kompanisë ndërkombëtare Henderson, “janë kërcënuar me arrestim”.

Sipas raportimeve, një furgon i blinduar me dinarë të destinuar për pagesën e pagave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe pagesave tjera për serbët në Kosovë u ndalua në Jarinjë.

Automjeti raportohet se mbërriti në pikëkalimin kufitar pak para orës 11:00 me synimin për t’i dërguar paratë në kasafortën e Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Banka e Serbisë prej vitesh i ka dërguar dinarët në atë kasafortë në Leposaviq, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania “Henderson”.

Për këtë rast ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, e cila tha se automjeti u ndalua “me urdhër të Albin Kurtit”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë indinjuar me zbatimin e rregullores së re të Bankës Qedrore të Kosovës e cila e heq nga përdorimi dinarin serb në vend. Ajo hyri në fuqi më 1 shkurt.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar një periudhë tranzitore të zbatimit, e cila sërish i ka lënë të pakënaqur ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që Ekzekutivi të tërhiqet menjëherë nga vendimi.

Para dhjetë ditësh, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se Policia e Kosovës më 4 shkurt sekuestroi dinarë serbë dhe një automjet transportues që i sillte ato, duke i bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara lidhur me këtë çështje, duke theksuar se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

/Shqip.com